Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, i cili, sipas saj, shqiptarëve u është referuar si „një grup i vogël qytetarësh“.

Dauti i ka rikujtuar Dimitrievskit peshën demografike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar për minimizimin e tyre përmes retorikës politike.


Reagimi i Dautit vjen në kuadër të përplasjeve politike lidhur me statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, çështje që vazhdon të shkaktojë debate ndërmjet përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe drejtuesve të ZNAM-it.

Statusi i plotë i deputetes Ilire Dauti:

Maksim Dimitrievski paska thënë për shqiptarët: “Një grup i vogël qytetarësh”.
Tregoni Dimitrievskit se është duke folur për grupin që është sa 54.4% i numrit të maqedonasve. Pra, më shumë se gjysma e tyre.
Demografia thotë kështu z. Dimitrievski:

Formula:(29.5% shqiptarë ÷ 54.2% maqedonas) × 100 = 54.4%

E tani ky “grupi” që përbën mbi 54% të numrit tuaj, vështirë se mund të quhet i vogël-përveç se në matematikën tuaj politike që shihet se nuk ju ec.

Në Qeveri ndaç rri, ndaç mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.

P.S. Не мешај баби и жаби!