Bota

Kandidati i majtë për President kërkon shkëputjen e Francës nga NATO!

Partia e kandidatit të së majtës radikale për president të Francës, Jean-Luc Mélenchon, ka përfshirë në programin e saj zyrtar largimin e vendit nga NATO dhe shtetëzimin e disa prej kompanive kryesore të industrisë së mbrojtjes.

Në programin prej 222 faqesh, të publikuar të premten, partia “France Unbowed” kërkon tërheqjen e menjëhershme të Francës nga komanda e integruar e NATO-s dhe më pas largimin gradualisht të plotë nga Aleanca. Ajo kundërshton gjithashtu objektivin për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke e cilësuar këtë si një kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, një Francë e drejtuar nga Mélenchon do të vijonte të ofronte ndihmë për vendet e Bashkimit Evropian, në përputhje me detyrimet që burojnë nga traktatet e BE-së.

LEXO EDHE: Europa në tryezën e negociatave për Ukrainën, Franca konfirmon pjesëmarrjen!

Sondazhe të ndryshme e kanë renditur Mélenchon në një pozicion që mund t’i mundësojë kalimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, ku do të zgjidhet pasardhësi i Emmanuel Macron. Në këtë fazë, ai mund të përballet me Marine Le Pen, e cila gjithashtu ka premtuar largimin e Francës nga komanda e integruar e NATO-s.

Ndryshe nga partia e Le Pen, “France Unbowed” nuk parashikon shprehimisht ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën, por thekson nevojën për një zgjidhje diplomatike të luftës. Sipas programit, çdo marrëveshje paqeje duhet të mbështetet në “garanci kolektive të sigurisë” mes palëve ndërluftuese dhe pjesës tjetër të Evropës.

Programi parashikon gjithashtu rregulla më të rrepta për përdorimin dhe zhvillimin e armëve, përfshirë sistemet autonome vdekjeprurëse dhe armët bërthamore.

Një tjetër pikë e platformës është kundërshtimi i militarizimit të hapësirës. Për këtë arsye, partia kërkon mbylljen e qendrës hapësinore të NATO-s në Toulouse. Në të njëjtën kohë, ajo argumenton se Franca duhet të ruajë kapacitete të mjaftueshme për të garantuar sovranitetin e saj, përfshirë zhvillimin e një anijeje hapësinore.