VIDEO/ Vasili: Gjykata Kushtetuese po shkel Kushtetutën, ONM-ja ka përfunduar misionin e saj

17:25, 08/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i ftuar në edicionin e Pasdites në SYRI TV, në një intervistë me moderatoren Sibora Bitri, ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për shkelje flagrante të Kushtetutës lidhur me rolin dhe praninë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në proceset kushtetuese.

Sipas Vasilit, ONM-ja ishte një instrument i përkohshëm monitorimi, i parashikuar në një aneks të Kushtetutës, funksioni i të cilit lidhej drejtpërdrejt me kohëzgjatjen e procesit të vetingut. Ai pretendon se, me përfundimin e këtij procesi, ka përfunduar edhe mandati i organizmit ndërkombëtar.

Ai argumentoi se ONM-ja ishte parashikuar si një mekanizëm kalimtar, që do të ushtronte funksionet e tij vetëm për aq kohë sa do të zgjaste procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese jo vetëm që po i njeh ONM-së një status të përhershëm, pavarësisht përfundimit të misionit të saj, por po i jep edhe të drejtën të jetë e pranishme në dhomën e këshillimit, ku gjyqtarët kushtetues diskutojnë çështjet.

‘Kanë marrë guximin, për fat të keq janë në Gjykatën Kushtetuese, të shkelin në mënyrën më flagrante Kushtetutën.

Dhe praktikisht të asgjësojnë Gjykatën Kushtetuese. Pra, këta duhet të ishin tashmë në ndjekje penale. Arsyeja cila është? Arsyeja është shumë e thjeshtë: Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ishte një instrument vëzhgimi, i përcaktuar në një aneks të Kushtetutës. Jo rastësisht në aneks, sepse bëhej fjalë për një proces kalimtar, pra që do të fillonte në një periudhë dhe do të mbaronte në një periudhë të caktuar kohe.

Për aq kohë sa do të zgjaste procesi i vetingut. Dhe Kushtetuta flet qartë që në momentin që ky proces mbyllet, natyrshëm edhe ONM-ja, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, mbaronte funksionet e veta të monitorimit dhe vëzhgimit që ai kishte. A ka mbaruar? Se qytetari që na dëgjon duhet t'i dijë qartë këto gjëra. A ka mbaruar procesi i vetingut? Po.

Kush e vërtetoi? Raport-progresi i Bashkimit Europian, që monitoron në çdo detaj Shqipërinë, ka deklaruar qartazi: procesi i vetingut në Republikën e Shqipërisë është mbyllur në qershor të vitit 2027 me mbarimin e funksionimit të Kolegjit të Apelimit që ishte gjykata 2026-ës, po, aty një lapsus. Bashkë me këtë ka mbaruar edhe organi monitorues që ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Tani çfarë ka bërë Gjykata Kushtetuese?

Këtë organizëm që ka vdekur, që nuk ekziston më, jo vetëm e fut në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm i jep një status të përjetshëm, pra që do rrijë gjithmonë atje, por arrin deri në një çmenduri, për mendimin tim, që nuk e di se çfarë dënimi penal duhet të jepet për këta njerëz, të futet, të jetë i pranishëm dhe në dhomën e këshillimit. Pra ku gjyqtarët kushtetues diskutojnë...

Absolutisht! Dhe në dhomën e këshillimit, në Gjykatë, në të gjitha këto institucione, nuk hyn dot as Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe as kërkush! Dhe do të hyjnë kërkan disa vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët statusi i tyre dhe kjo e drejtë nuk shkruhet në asnjë ligj, në asnjë pikë, as në Kushtetutën e Shqipërisë, as në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në asnjë ligj tjetër. Dhe bile, po e them dhe një fakt shtesë.

Gjykata Kushtetuese, përveç të tjerave... që le të kthehemi pak në kohë se na ndihmon për të kuptuar gjërat. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka qenë shumë i debatuar që në vitin 2017. Dhe në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, ia kam kërkuar Bashkimit Europian, gjithë atyre çfarë ishin aty, Komisionerit Hahn, këta Vlahutinët, e Lu-të, të tërë këta të nderuarit e BE-së dhe SHBA-së që rrinë duke u thënë, që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit duhet të funksiononte në Shqipëri në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, sepse Kushtetuta e kërkonte këtë gjë. Dhe kjo marrëveshje ndërkombëtare jo vetëm që nuk u nënshkrua...

Por atëherë filloi në mënyrën më të paligjshme, u firmos nga Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që s'hynte fare në... se s'kishte asnjë lloj atributi qeveria me procesin e vetingut, dhe nga një drejtor në Bruksel. Pra, që të vijmë në situatën e sotme, ky kishte lindur me probleme të mëdha kushtetuese, ky ONM. Aq më tepër, shyqyr që mbaroi, dhe shyqyr në kuptimin më të mirë të fjalës, që kjo ONM-ja që nuk bëri asgjë, shyqyr ta këpuste qafën një herë e përgjithmonë! Sepse përveçse përvetësoi miliona euro të taksapaguesve europianë, Shqipërisë dhe procesit të vetingut nuk i solli asgjë të mirë, sepse siç e keni parë dhe e keni përcjellë, shumë nga këto vendimet e vetingut janë rrëzuar në gjykatën e Strasburgut’, u shpreh Petrit Vasili në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco