Maldin Kacurri hero në FA Cup, goli i shqiptarit mban gjallë Grimsby dhe e çon drejt kualifikimit

Maldin Kacurri ka qenë protagonist në një përballje spektakolare të FA Cup, duke gjetur rrugën e rrjetës për Grimsby Town në sfidën ndaj Stafford Rangers.
Mbrojtësi shqiptar shënoi në minutën e 76-të, duke rikthyer baraspeshën në 2-2 dhe duke mbajtur gjallë shpresat e skuadrës së tij për kualifikimin në raundin tjetër.
Kacurri realizoi me kokë, pas një topi të ardhur nga një goditje standarde dhe një krosimi të Iwan Morgan. Ky ishte një gol me shumë rëndësi për Grimsby, që po përjetonte një ndeshje të vështirë ndaj një kundërshtari që militon në kategoritë më të ulëta të futbollit anglez.
Stafford kishte krijuar një avantazh të dyfishtë me golat e Darrhyl Mason dhe Jack Birch, por Grimsby reagoi në pjesën e dytë. Fillimisht Harvey Rodgers ngushtoi diferencën në minutën e 74-t, ndërsa vetëm dy minuta më vonë erdhi goli i shqiptarit.
Ndeshja përfundoi 3-3 pas kohës shtesë, ndërsa Grimsby Town siguroi kualifikimin në raundin e dytë pas fitores 3-2 në serinë e penalltive.
Një paraqitje për t’u vlerësuar për Maldin Kacurrin, i cili po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje me fanellën e Grimsby Town dhe konfirmon potencialin e tij si një alternativë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare.




