Gazetari shqiptar Nefail Maliqi, i cili jeton dhe punon prej vitesh në Gjenevë, ishte i ftuar në emisionin “Syri i Botës” në SYRI TV, në një intervistë me moderatoren Dori Daka, ku analizoi pasojat e konfiguracionit të ri politik në Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve të mesit të mandatit dhe ndikimin e tyre në Europë dhe Ballkan.
Maliqi theksoi se humbja e shumicës në Kongres nuk nënkupton largimin e Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë dhe paralajmëroi se fitorja e demokratëve nuk duhet të krijojë iluzione për një ndryshim të menjëhershëm të politikës amerikane ndaj Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë.
Gjatë bisedës, gazetari u ndal edhe te zhvillimet e mundshme brenda administratës amerikane dhe emrat që përfliten për poste të rëndësishme diplomatike.
Në përfundim, Maliqi përcolli një mesazh të fortë për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, duke nënvizuar se miqësia me SHBA-të nuk duhet të nënkuptojë heqje dorë nga sovraniteti dhe interesat kombëtare.
Ai e lidhi këtë qëndrim me protestat në Shqipëri kundër asaj që e cilësoi si shitje të tokave shqiptare nga qeveria e Edi Ramës.
Intervista:
Daka: Shumë kënaqësi që ju kam si gjithmonë në "Syrin e Botës", ju falënderoj që gjeni gjithmonë kohë. Atëherë, zoti Maliqi, si një shqiptar i Preshevës, Ballkanas, europian, zviceran prej shumë vitesh tashmë, zviceran i planetit më vete. Cilat mendoni se do të jenë pasojat e këtij konfiguracioni të ri politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, respektivisht pra në Europë, Ballkan, në Kosovë edhe në Shqipëri?
Maliqi: Humbja e kongresit, pra jo edhe e presidencës, është një e rëndësishme të kuptohet se humbja e shumicës në kongres nuk nënkupton largimin e Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë. Ai vazhdon të jetë president dhe të ketë kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme, sigurinë dhe diplomacinë amerikane. Tash për fund do të shtrohet pyetja se a do të ndryshojë politika amerikane në Ballkan. Rreth kësaj mund të themi se këtu nuk duhet të krijohen iluzione kurrëfarë, se demokratët vetëm pse fituan zgjedhjet do të ndryshojnë menjëherë politikat amerikane ndaj Kosovës, Serbisë apo Shqipërisë. Politika e jashtme amerikane përcaktohet nga shumë faktorë: interesat strategjike, siguria, NATO, marrëdhëniet me Evropën dhe zhvillimet ndërkombëtare. Për Kosovën, për shembull, është me rëndësi që Uashingtoni dhe Brukseli të kenë një qasje të koordinuar e cila mbron sovranitetin e saj dhe nuk e shpërblen politikat e presionit apo të destabilizimit. Për shembull, pastaj për Shqipëri, është me rëndësi që partneriteti me SHBA-të të shoqërohet me standarde të larta demokratike, luftën kundër korrupsionit, drejtësi të pavarur dhe transparencë në përdorimin e pasurisë publike e tjera. Ky tërmet politik në SHBA mund të shkaktojë edhe largimin nga administrata, nga administrata e Trumpit. Për shembull flitet se Marco Rubio mund të dezertojë nga administrata e tij, por nuk ka konfirmime zyrtare...
Daka: Ka një konfirmim të sotëm që ai ka thënë nuk do largohem, por sigurisht mban atë linjën e Trumpit të pro-luftës së Iranit. Për momentin ai nuk do të largohet, kështu që. Janë zhvillime të shpejta që ndodhin orë pas ore dhe sigurisht nuk mund t'i parashikojmë por realiteti i ri është ky.
Maliqi: Kush do të jetë pasardhësi i tij? Po sipas burimeve të mia diplomatike, pasardhësi i tij mund të jetë potencial dhe serioz mund të jetë Sergio Gor, apo Robert O'Brien. Madje përflitet edhe Richard Grenell, por nuk besoj sepse e ka një dosje ende të zezë, është përfolur rreth një dosje, rreth humbjes së disa milionave. Po për të gjitha këto vendime përfundimtare i merr Trump, kurse emërimi i Sekretarit të Shtetit kërkon konfirmimin e Senatit amerikan. Dhe për fund rreth kësaj teme me SHBA-të, do të doja të theksoja se Amerika ka qenë dhe duhet të mbetet mike e shqiptarëve. Por miqësia me Amerikën nuk do të thotë që t'ja dorëzojmë askujt çelësat e shtëpisë. E thashë këtë për shkak të protestave të fundit masovike dhe maratonike të qytetarëve në Tiranë dhe Shqipëri, kundër shitjes së tokave shqiptare nga narko-qeveria e Edi Ramës.
© SYRI.net
VIDEO/ Sina: Zgjedhjet në SHBA ishin një reagim ndaj çmimeve, jo një kthim ideologjik drejt së majtës
Aktivisti proteston i vetëm: Ku janë partitë e vogla dhe simpatizantët e paguar nga Rama për të larguar opozitën?
VIDEO/ Vasili: Gjykata Kushtetuese po shkel Kushtetutën, ONM-ja ka përfunduar misionin e saj