Shqetësimi i ndërtuesve, ja çfarë po e pengon hipotekimin e banesave
Shoqata e Ndërtuesve i është drejtuar pak ditë më parë me një letër kryeministrit Edi Rama, ku ka ngritur shqetësimet për vonesat në procesin e hipotekimit të banesave. Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Erjon Harizaj, thotë se mungesa e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve nga institucionet e zvarrit procedurat, ndërsa mungesa e energjisë elektrike dhe ujit pengon pajisjen e objekteve me leje shfrytëzimi.
Z.Harizaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin E-ZONE në Vizion Plus, u shpreh se kjo situatë bën që shumë apartamente të mos kalojnë në pronësi të blerësve përfundimtarë, të cilët nuk mund të hyjnë në banesat e tyre pa lejen përkatëse të shfrytëzimit.
Sipas tij, institucionet nuk kanë një detyrim ligjor për t’iu përgjigjur kërkesave brenda 15 apo 30 ditësh, duke bërë që procesi të zvarritet pa një afat të përcaktuar.
“Ka problematika të ndryshme. Nuk ka asnjë afat ligjor dhe nuk ka ndonjë detyrim ligjor që ata duhet të kthejnë përgjigje, po thoshim për 15 ditë apo për 30 ditë nga kërkesa jonë, dhe kjo e bën këtë gjë të zgjatur pafund.
Problemi kryesor është që ne nuk arrijmë t’i dorëzojmë këto apartamente te pronari real i saj. Pra, pasi nuk na lejon ligji që ne të fusim banorë brenda pa leje shfrytëzimi. Ndërkohë që leja e shfrytëzimit nuk merret pa energji elektrike dhe pa ujë, dhe nga kjo gjë janë shumë apartamente, që nuk po kalojnë te blerësi përfundimtar që të hyjnë në banesat e tyre”, tha Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Erjon Harizaj.
Pjesë nga letra e Shoqatës së Ndërtuesve drejtuar kryeministrit Rama:
“Shoqata e Ndërtuesve kërkon ndryshime ligjore që të mundësojnë lidhjen e objekteve me rrjetin e energjisë dhe ujit përpara marrjes së certifikatës së përdorimit, si dhe vendosjen e afateve të detyrueshme për institucionet. Ndër të tjera, kërkohet që certifikata të lëshohet brenda 30 ditëve, të shmangen aplikimet e përsëritura për aktivizimin e rrjeteve dhe të zgjidhen aplikimet e mbartura në Bashkinë e Tiranës. Shoqata kërkon gjithashtu ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për hartimin e ndryshimeve ligjore dhe zbatimin e masave brenda 60 ditëve“.
/vizionplus.tv




