Trump i kërkon Netanyahut të zbatojë planin e paqes për Gazën

Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të avancojë me zbatimin e planit amerikan të paqes për Gazën, tashmë që zgjedhjet në Izrael kanë përfunduar. Kërkesa është bërë gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve, raportojnë mediat izraelite, duke cituar dy burime amerikane të njohura me përmbajtjen e bisedës.
Sipas televizionit izraelit Channel 12, zbatimi i planit të Trump ishte praktikisht i ngrirë gjatë fushatës zgjedhore në Izrael. Shumë zyrtarë kishin paralajmëruar se qeveria e Netanyahut mund të përballej me reagime të forta politike nëse do të lejonte nisjen e rindërtimit të Gazës përpara çarmatimit të plotë të Hamasit.
Megjithatë, Trump kërkon që procesi të ecë përpara, pavarësisht se cila qeveri do të formohet në Izrael. Sipas raportimit, presidenti amerikan kërkon përparim konkret në planin e tij prej 20 pikash, i cili parashikon çarmatimin e Hamasit dhe transferimin e administrimit të Gazës te një qeveri teknokratike palestineze.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha Channel 12 se rindërtimi i Gazës do të kushtëzohet nga përparimi drejt çarmatimit të Hamasit. Ai theksoi se Uashingtoni ka nevojë për bashkëpunimin e plotë të Izraelit në këtë proces, por nuk specifikoi se deri në çfarë mase duhet të realizohet çarmatimi, përpara se të nisë rindërtimi.
Një burim i njohur me diskutimet bëri të ditur se administrata Trump, Bordi i Paqes i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli bien dakord se plani amerikan me 20 pika përbën rrugën më të mirë për të ecur përpara. Biseda u përshkrua si pozitive dhe konstruktive, ndërsa gjatë saj u diskutua edhe për luftën me Iranin.
Ndërkohë, në një tjetër raportim, Channel 12 bën të ditur se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka thirrur një mbledhje urgjente për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës.
Sipas raportimeve, mbi 70 mijë tenda janë përmbytur si pasojë e kushteve të rënda atmosferike, duke prekur dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur, të cilët jetojnë në kushte të vështira dhe përballen me mungesë strehimi të përshtatshëm.




