Për 100 mijë euro është shitur një prej tartufëve më të rrallë të bardhë, me peshë 850 gramë, në ankandin ndërkombëtar të zhvilluar në qytetin Alba, pranë Torinos në Itali.
Këtë shumë rekord për produktin e veçantë e ka paguar një blerës nga Hong Kongu, në edicionin e 27-të të Ankandit Botëror të Tartufit.
Interes të madh pati edhe për një tartuf tjetër prej 300 gramësh, i cili fillimisht u shit për 12 mijë euro. Pasi blerësi i parë hoqi dorë nga blerja, ai u nxor sërish në ankand dhe u ble për 14 mijë euro nga një biznesmen vendas.
Organizatorët bëjnë me dije se prodhimi i këtij viti është ndikuar nga thatësira, por reshjet e fundit kanë përmirësuar situatën dhe japin shpresë për një sezon më të favorshëm. Sipas Roberto Bodrito-s, president rajonal i Enoteca Piemonte Cavour, ankandi i këtij viti shënoi pjesëmarrjen më të gjerë ndërkombëtare, me katër vende të reja dhe nëntë qytete të lidhura në aktivitet.
© SYRI.net