Italia në alarm nga sulmet kibernetike, Piantedosi thërret mbledhjen urgjente të sigurisë kombëtare

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, ka thirrur për të martën një takim të Komitetit Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike, ku në fokus do të jetë situata e sigurisë kibernetike dhe rreziqet që paraqesin sulmet e hakerave.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, mbledhja do të zhvillohet më 10 nëntor, në ambientet e Ministrisë së Brendshme në Romë.
Autoritetet pritet të analizojnë kërcënimet e mundshme që burojnë nga sulmet kibernetike dhe ndikimin e tyre në sigurinë publike.
Ky takim vjen në një moment kur Italia po përballet me shqetësime në rritje për aktivitetet e grupeve të hakerave dhe ekspozimin e të dhënave personale të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Vetëm një ditë më parë, ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, bëri të ditur se të dhënat e tij personale ishin publikuar në “dark web”.
Sipas tij, autorët po kërkonin gjithashtu informacione të tjera për të dhe familjarët e tij, duke i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim.
Tajani e lidhi këtë veprim me qëndrimin e Italisë në mbështetje të Ukrainës. Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni shprehu mbështetjen për ministrin, duke iu referuar edhe aktiviteteve të hakerave pro-rusë.
Shqetësimin për kërcënimet e reja e ka ngritur edhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto. Ai paralajmëroi për rreziqet që sjell lufta hibride, duke vënë në dukje se keqpërdorimi i të dhënave personale dhe manipulimi i informacionit vijojnë të mos marrin vëmendjen e duhur.
Crosetto u bëri thirrje institucioneve që mbrojtjen nga këto kërcënime ta trajtojnë si një çështje me rëndësi strategjike dhe ta vendosin sigurinë kombëtare në krye të prioriteteve.




