Inter është rikthyer të fitojë pas disfatës në derbi kundër Milanit dhe këtë e ka bërë në ndeshjen delikate kundër Como-s, që ishte cilësuar si një prej supersfidave të kësaj jave në Seria A. Zikaltërit kampionë në fuqi ia dolën 2-0 në San Siro, teksa të dy golat erdhën në minuta e para me Pio Esposito-n fillimisht dhe më pas me Marcus Thuram.

Në vijim Interi mund të kishte thelluar rezultatin, ndërsa Como, që vinte pas fitores së bujshme 1-9 kundër Lens në Champions League, bëri shumë pak në këtë përballje. Të besuarit e Fabregas reaguan vetëm në fundin e ndeshjes, por ishte shumë pak për të lënë shenjën e tyre.

Me këtë fitore Inter rikthehet në vendin e dytë në Seria A me 28 pikë, 1 më pak se Lazio kryesuese dhe 1 më shumë se Roma e vendit të tretë.

Pas suksesit kundër Como-s, trajneri i Interit Christian Chivu, ishte i pakënaqur për sulmin që i është bërë Marcus Thuram në publik. Sulme të cilat pretendojnë se francezi, i cili është lënë për herë të dytë jashtë listës së Francës nga Zidane, nuk është në lartësinë e Interit. Sakaq Chivu mohoi që te Interi të ketë patur një mbledhje sqaruese pas disfatës me Milanin, ndërsa trajneri i Como-s Cesc Fabregas u shfaq i dorëzuar. Spanjolli tha se duhet ‘ta pranojmë që Interi është në nivel tjetër në krahasim me Como-n’, ndërsa shtoi se ‘në këtë duel mund të kishin pësuar 9 gola’.