Nvidia nis hetim ndaj shefit të saj pas dyshimeve për lidhje me një spiune kineze

Kompania amerikane e teknologjisë Nvidia ka nisur një hetim të pavarur pas raportimeve se drejtori i saj ekzekutiv, Jensen Huang, kishte pasur një lidhje me një biznesmene kineze, për të cilën inteligjenca amerikane dyshon se ishte spiune e Kinës.

Bordi drejtues i kompanisë ka bërë të ditur se nuk ka arsye të besojë se sekretet e Nvidia-s apo siguria kombëtare e SHBA-së janë komprometuar, ndërsa ka theksuar se Huang mbetet i përkushtuar për të vazhduar drejtimin e kompanisë.

Ndërkohë, Huang ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje për lëndimin që u ka shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.

“Kam qenë i pabesë ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq”, ka deklaruar ai.

Huang ka thënë se merr “përgjegjësi të plotë” për veprimet e tij, duke pranuar se ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësive ndaj punonjësve, bordit drejtues dhe aksionarëve të Nvidia-s.

Lidhur me shqetësimet për sigurinë kombëtare, ai ka deklaruar se e mbështet hetimin e nisur nga bordi dhe se do të bashkëpunojë plotësisht.

“E dua vendin tonë dhe kompaninë tonë. Jam i përkushtuar për ta mbrojtur Nvidia-n dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare të Amerikës. Jam krenar dhe mirënjohës që jam amerikan”, ka thënë Huang.

Sipas një raportimi të The New York Times, zyrtarët e inteligjencës amerikane dyshonin se biznesmenia kineze Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, kishte lidhje me Ministrinë e Sigurimit të Shtetit të Kinës dhe vepronte në emër të qeverisë kineze.

Sipas burimeve anonime të cituara nga gazeta, agjencitë amerikane të inteligjencës e kishin monitoruar Alice Huang dhe kishin arritur në përfundimin se ajo po vepronte në interes të qeverisë kineze.

Përgjimet thuhet se kishin zbuluar komunikime mes saj dhe një shtetasi amerikan, identiteti i të cilit më pas ishte zbuluar se ishte Jensen Huang, përmes një procesi të njohur si “unmasking”.

Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë informacionesh dyshohet se Alice Huang i kishte përcjellë Pekinit, sa të vlefshme ishin ato apo kur kishte nisur mbledhjen e informacioneve.

Alice Huang është e lidhur me kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila merret me qendra të të dhënave. Kjo kompani kishte deklaruar muajin e kaluar për The New York Times se udhëheqja aktuale i merrte seriozisht akuzat dhe kishte angazhuar këshilltarë të jashtëm ligjorë për të zhvilluar një hetim të brendshëm.

Në një deklaratë të veçantë, bordi i Nvidia-s bëri të ditur se hetimi po zhvillohet pas raportimeve se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë ishte bërë objekt i një operacioni të dyshuar të inteligjencës së huaj.

Nvidia është një nga kompanitë më të mëdha në botë dhe një prej aktorëve kryesorë në zhvillimin e infrastrukturës për inteligjencën artificiale, duke furnizuar me çipa kompani të mëdha si OpenAI dhe Meta.

Ndërkaq, Kina ka hedhur poshtë më herët pretendimet për një operacion spiunazhi ndaj drejtuesit të Nvidia-s, duke i cilësuar ato si “spekulime të pabazuara”.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika