Hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, janë zgjeruar. Krahas çështjeve për të cilat po hetohej më parë, SPAK ka regjistruar akuza të reja ndaj saj, që lidhen me dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.
SPAK po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet DIngler. Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e EATABACCO të Ergys Agasit.
Ish-drejtoresha e SHISH, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku dyshohet për përfshirje në veprimtari që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.Ndaj saj më parë ishin ngritur dyshime veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Në fokus të hetimeve është dyshimi se ish-kryetarja e SHISH-it ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë kohës që ai ndodhej në arrati, duke i vënë në dispozicion informacione konfidenciale shtetërore.
Prokurorët po verifikojnë komunikimet dhe marrëdhëniet mes tyre, si dhe nëse informacionet e përcjella nga Hyseni kanë ndikuar në shmangien e Agasit nga autoritetet ligjzbatuese.
Hetimet synojnë të zbardhin rolin e ish-drejtueses së SHISH-it në këtë çështje dhe nëse ajo ka përdorur informacionin e siguruar për shkak të funksionit të saj në shërbimin inteligjent në favor të biznesmenit.
Ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme penale.
