Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se në pesë fshatra të Mitrovicës po realizohet një projekt për asfaltimin e gjithsej 23.4 kilometrave rrugë, me investim të përgjithshëm prej 3.3 milionë eurosh.

Përmes një postimi në Facebook, Basha ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.5 milion euro për këtë projekt, ndërsa Komuna e Mitrovicës po kontribuon me 1.8 milion euro.


Sipas tij, projekti përfshin rrugët në Bajgorë, Rashan, Tërstenë, Kutllovc dhe Vllahi.

“Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, e cila merr pjesë me 1.8 milionë euro investim”, ka shkruar Basha.

Ai ka thënë se këto rrugë do të lehtësojnë qarkullimin, do të rrisin sigurinë në komunikacion dhe do të përmirësojnë lidhjen e këtyre fshatrave me zonat përreth.

“Vazhdojmë me punë konkrete për infrastrukturë më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm në çdo cep të Kosovës”, ka përfunduar ministri Basha. /Telegrafi/