E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Denoncimi: Balluku shpenzoi mijëra euro në një klinikë estetike për të ndryshuar look-un
Lajme

Denoncimi: Balluku shpenzoi mijëra euro në një klinikë estetike për të ndryshuar look-un

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të reja ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe drejtuesit të saj, Klodian Braho, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po trajtohet dosja ndaj Belinda Ballukut. Gjatë një interviste për emisionin “Albanian News Cast”, me gazetarin Arbër Hitaj, Bardhi deklaroi se sipas tij, drejtuesi i SPAK-ut është ndikuar nga interesa që lidhen me lejet e ndërtimit dhe aktivitetet e biznesit të familjarëve të tij, duke krijuar kushte favorizuese për ish-zëvendëskryeministren.

Demokrati përsëriti pretendimin se mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme është arritur një marrëveshje për të mos paraqitur një kërkesë të re në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas versionit të tij, komunikimet dhe takimet që kanë paraprirë këtë zhvillim janë zhvilluar në Valamar, ndaj ai e ka pagëzuar marrëveshjen e pretenduar si “Aleanca e Valamarit”.

“Unë jam në dijeni të një marrëveshjeje të bërë mes tij dhe kryeministrit Edi Rama në raport me këtë çështje, që të mos kishte kërkesë të re për heqje imuniteti ndaj Belinda Ballukut. Kam folur për pikën e tij të kontaktit, pra me të cilin ka komunikuar dhe nuk është më sekret”, deklaroi Bardhi.

Bardhi: Hetimi ndaj Ballukut është i cunguar, nuk janë kontrolluar banesa dhe telefoni

Një tjetër pikë e kritikës së kreut të grupit parlamentar të PD-së lidhet me veprimet hetimore të SPAK-ut. Bardhi pretendon se hetimi ndaj Belinda Ballukut nuk është kryer në të gjitha drejtimet, pasi, sipas tij, prokurorët nuk kanë ushtruar kontrolle në banesën e saj dhe nuk kanë sekuestruar telefonin për të verifikuar komunikimet.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për faktin që kryeministri Edi Rama nuk është marrë në pyetje lidhur me procedurat e tenderave që janë aktualisht objekt hetimi.

Për Bardhin, mënyra se si po trajtohet çështja tregon ekzistencën e standardeve të ndryshme në vendosjen e masave të sigurisë. Ai krahasoi situatën e Ballukut me atë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentit Ilir Meta, duke pretenduar se këta të fundit përballen me akuza më pak të rënda, por ndodhen në burg, ndërsa Balluku vijon të jetë e lirë.

“Belinda Balluku është zyrtari publik me akuzat më të rënda të ngritura nga Prokuroria e Posaçme. Pra, nuk ka asnjë të ngjashëm. Ju përmendët zotin Veliaj, për shembull, që është në burg. Akuzat ndaj tij janë më të lehta sesa akuzat që janë ndaj zonjës Balluku. Akuzat ndaj Ilir Metës janë 1/10 e akuzave që janë ndaj zonjës Balluku. Dhe është e paimagjinueshme që një zyrtar me akuzat e zonjës Balluku të jetë sot në liri dhe jo vetëm të jetë në liri, por të vijë dhe në Kuvend”, u shpreh demokrati.

Denoncimi i ri: Balluku ka shpenzuar mijëra euro për ndërhyrje estetike

Deklarata që tërhoqi vëmendjen më të madhe gjatë intervistës ishte një pretendim i ri i Gazment Bardhit lidhur me shpenzimet personale të Belinda Ballukut. Kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se disponon informacion për një klinikë estetike ku, sipas tij, ish-zëvendëskryeministrja ka shpenzuar mijëra euro për trajtime dhe ndërhyrje që lidhen me ndryshimin e pamjes së jashtme.

Bardhi pretendoi se këto shpenzime duhet të ishin pjesë e verifikimeve të prokurorisë, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si kontrollohen të ardhurat dhe shpenzimet e zyrtarëve që janë nën hetim.

“Një çështje po e them këtu për herë të parë, edhe pse kisha bërë ndërmend ta denoncoja në ditët në vijim. Unë personalisht di klinikën ku zonja Balluku ka bërë me mijëra euro shpenzime për estetikën e saj, pra për ndryshimin e pamjes. Kur të bie në sy ty si gazetar, unë mendoj që një prokurorie do duhet t’i bjerë në sy. Dhe ku e di unë klinikën ku zonja Balluku ka bërë mijëra euro shpenzime për ndryshimin e look-ut të saj, një prokuror duhet ta dijë”, deklaroi ai.

Sipas Bardhit, verifikimi i këtyre shpenzimeve do të ishte një element i rëndësishëm për të kuptuar nëse ekziston përputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe nivelit të shpenzimeve personale.

Kreu i grupit demokrat pretendoi se mungesa e një kërkese të re për heqjen e imunitetit të Ballukut rrezikon ta lërë çështjen në harresë. Ai akuzoi gjithashtu drejtuesin e SPAK-ut se ka dëmtuar besimin e qytetarëve te institucionet e drejtësisë.

Bardhi për përplasjen Rama-Veliaj: Duhet hetuar pretendimi për kërcënime në burg

Gjatë intervistës, Bardhi komentoi edhe përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai u ndal te pretendimet e këtij të fundit për kërcënime të ushtruara brenda burgut nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në emër të kryeministrit.

Demokrati deklaroi se anon nga versioni i Veliajt dhe kërkoi që pretendimet për presion dhe kërcënime të verifikohen nga organet e drejtësisë.

Deklaratat e Bardhit rikthejnë në qendër të debatit politik trajtimin e dosjes së Belinda Ballukut, përgjegjësinë e SPAK-ut në hetimin e saj dhe pretendimet për standarde të ndryshme në veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë. Megjithatë, akuzat e ngritura gjatë intervistës mbeten pretendime të opozitës dhe kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.