Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur pretencën për një nga dosjet më të bujshme të krimit të organizuar në Shqipëri, atë të vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005. SPAK ka kërkuar dënimin me nga 25 vite burg për secilin prej gjashtë të pandehurve, të akuzuar për përfshirje në këto ngjarje.
Sipas pretencës së paraqitur nga Prokuroria, nga 25 vite burg janë kërkuar për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin, Viktor Imerajn, i njohur edhe si Viktor Bajraktari, Indrit Taullain, Indrit Rusin dhe Plaurent Dervishin. Ndërkohë, për Luftar Reçin është kërkuar dënimi me 8 vite burg, për shkak të bashkëpunimit të tij me autoritetet.
Vrasjet e Lamajt dhe Saliut ndodhën në shkurt të vitit 2005. Për vite me radhë, kjo çështje ka qenë në fokus të hetimeve për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në ekzekutimin e tyre.
Ngjarja e parë ndodhi më 26 shkurt 2005, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Durrës–Maminas, pranë fshatit Koxhaj. Klodian Saliu po udhëtonte me automjetin e tij tip Mercedes-Benz, kur ndaj tij u qëllua me armë zjarri. Ai mbeti i vrarë, ndërsa personi tjetër që ndodhej në automjet, O. Truma, mbeti i plagosur.
Vetëm një ditë më vonë, më 27 shkurt 2005, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Tiranën. Një shpërthim me lëndë plasëse në pallatin ku banonte biznesmeni Vajdin Lamaj, në rrugën “Dervish Hima”, i mori jetën atij dhe mikut të tij, Artan Arsit.
