Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 52-vjeçare regjisori Sebastián Lelio, fitues i çmimit Oscar



Regjisori kilian Sebastián Lelio, fitues i çmimit Oscar për filmin A Fantastic Woman, është ndarë nga jeta në moshën 52-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga partnerja e tij, aktorja Amalia Kassai, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Sipas Euronews, Lelio ndërroi jetë të premten, më 6 nëntor, në Santiago të Kilit. Në njoftimin e familjes përmenden arsye shëndetësore, por nuk bëhet e ditur shkaku i saktë i vdekjes. Sipas mediave kiliane, regjisori u gjet pa jetë në banesën e tij në zonën Las Condes.

“ kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë mes nesh. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm, që kontribuoi në kulturën kiliane në momente të rëndësishme të historisë së saj”, thuhej në mesazhin e familjarëve.

Lelio fitoi njohje ndërkombëtare me filmin Gloria, të vitit 2013, protagonistja e të cilit, Paulina García, u vlerësua me çmimin Ariu i Argjendtë për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit në Berlin.

Suksesi më i madh i karrierës së tij erdhi me filmin A Fantastic Woman, të vitit 2017, i cili fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë ndërkombëtar në vitin 2018. Filmi, me protagoniste aktoren Daniela Vega, trajton historinë e një gruaje transgjinore dhe ndikoi në debatin publik në Kili për të drejtën e ndryshimit ligjor të gjinisë.

Kjo ishte fitorja e dytë e Kilit në historinë e çmimeve Oscar, pas vlerësimit për filmin e shkurtër të animuar Bear Story në vitin 2016.

Mes filmave të tjerë të tij janë Disobedience, me Rachel Weisz dhe Rachel McAdams, Gloria Bell, me Julianne Moore, si dhe The Wonder, me Florence Pugh.

Në shtator, Lelio kishte nisur xhirimet e filmit Poeta Chileno, bazuar në librin e shkrimtarit Alejandro Zambra. Filmi i tij i fundit ishte The Wave, një dramë muzikore me temë protestat, e cila u prezantua në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2025.