Aktualitet Lifestyle Tech

Studimi i Gallup-it: Mbi 2 orë në rrjete sociale, më shumë stres e vetmi/Edhe në Shqipëri!

Përdorimi i lartë i rrjeteve sociale lidhet me më shumë stres, vetmi, trishtim dhe zemërim, por marrëdhënia me mirëqenien ndryshon sipas vendit dhe moshës.

Ky është një nga përfundimet e raportit të Gallup “State of the World’s Emotional Health 2026”, që përfshin 97 vende, mes tyre edhe Shqipërinë.

I publikuar në bashkëpunim me World Health Summit, studimi tregon se përdorimi i moderuar shoqërohet me rezultate më të favorshme në disa tregues të mirëqenies. Por, koha më e gjatë në platforma nuk lidhet në mënyrë të njëtrajtshme me një vlerësim më të ulët të jetës.

Gallup i ndan të anketuarit në tri kategori: ata që nuk përdorin rrjete sociale ose kalojnë më pak se 30 minuta në ditë; përdoruesit e moderuar, me 30 minuta deri në më pak se dy orë dhe përdoruesit me të paktën dy orë në ditë.

Krahasuar me grupin e moderuar, përdoruesit me kohëzgjatje të lartë raportojnë më shumë emocione negative. Diferencat mbeten përgjithësisht të vogla pasi merren parasysh faktorë si mosha, të ardhurat, arsimi, punësimi, shëndeti dhe mbështetja sociale.

Shqipëria është ndër 97 vendet e përfshira në studimin e Gallup-it. Harta e raportit e vendos në grupin ku lidhja mes kohës së kaluar në rrjete sociale dhe vlerësimit të jetës te të rinjtë 15–29 vjeç është e ulët.

Të rinjtë janë grupi që kalon më shumë kohë në platforma. Mesatarja mes 97 vendeve tregon se 95% e personave 15–29 vjeç kishin përdorur rrjete sociale gjatë shtatë ditëve të fundit. Mes përdoruesve të kësaj moshe, mediana e atyre që deklarojnë të paktën pesë orë përdorim në ditë arrin në 19%. Këto janë rezultate ndërkombëtare, jo përqindje për Shqipërinë.

Analiza e lidhjes mes kohës në rrjete sociale dhe vlerësimit të jetës te të rinjtë evidenton dallime të mëdha: në 16 vende lidhja është negative me madhësi të moderuar, në 71 vende është e vogël dhe në 10 vende është pozitive me madhësi të moderuar.

Lidhja mes kohës në rrjete sociale dhe mënyrës si të rinjtë 15–29 vjeç e vlerësojnë jetën ndryshon nga një vend në tjetrin. Gallup gjeti një lidhje negative në 16 vende, ndër to SHBA-të, Kanadaja, Izraeli, Australia dhe Holanda. Në 10 vende, mes tyre Meksika, Polonia dhe Irlanda, të rinjtë që kalonin më shumë kohë në rrjete sociale prireshin ta vlerësonin më lart jetën e tyre.

Gallup thekson se studimi evidenton lidhje statistikore dhe nuk provon shkakësi. Ai mat përdorimin dhe kohën e kaluar në rrjete sociale, por nuk përcakton cilat platforma përdoren, çfarë përmbajtjeje shohin të anketuarit apo nëse përdorimi i tyre është kompulsiv. /Monitor