Ukraina nën sulme, Trump sinjalizon ndryshime territoriale
Autoritetet ukrainase po përpiqen të rikthejnë furnizimin me energji elektrike për qindra mijëra banorë në lindje të vendit, pas sulmeve ajrore ruse.
Presidenti amerikan, Donald Trump, la të kuptohet, ndërkohë, se Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
“Mendoj se do ta arrijmë marrëveshjen e paqes. Besoj se kjo do të ndodhë dhe se, në fund, kufijtë e Ukrainës do të jenë paksa ndryshe”, tha Trump në një intervistë për emisionin 60 Minutes të televizionit amerikan, CBS, të transmetuar më 8 nëntor.
Ai nuk dha hollësi se për çfarë ndryshimesh territoriale mund të bëhet fjalë.
Ukraina ka këmbëngulur se nuk do të pranojë t’ia lëshojë përgjithmonë Rusisë asnjë pjesë të territorit të saj.
Megjithatë, ka shprehur gatishmëri për një armëpushim që do t’i ndalte luftimet, edhe nëse trupat ruse vazhdojnë të mbajnë përkohësisht nën kontroll territoret ukrainase që i kanë pushtuar.
“Natyrisht, Rusia kërkon që ne të heqim dorë nga territoret tona. Ne nuk duam të heqim dorë nga asgjë. Pikërisht për këtë po luftojmë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Rusia, nga ana tjetër, i ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim.
Moska këmbëngul se luftimet mund të përfundojnë vetëm përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes, që do të përmbushte edhe kërkesat e saj territoriale.
Ato përfshijnë edhe marrjen e kontrollit mbi disa pjesë të Ukrainës që forcat ruse nuk kanë arritur ende t’i pushtojnë.
Qindra mijëra banorë mbeten pa energji elektrike
Sulmet ruse ndaj rrjetit energjetik në rajonin Dnipropetrovsk, në lindje të Ukrainës, lanë rreth 600 mijë njerëz pa energji elektrike.
Ekipet e emergjencës po punonin mëngjesin e 9 nëntorit për të rikthyer furnizimin, ndërsa Rusia vazhdonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Kreu i administratës ushtarake të rajonit, Oleksandr Hanzha, tha se spitalet ishin detyruar të përdornin gjeneratorë me naftë, ndërsa transporti publik elektrik ishte ndalur në Dnipro, kryeqytetin e rajonit.
Qyteti i Dnipros ka qenë prej kohësh një qendër e rëndësishme në lindje të Ukrainës.
Ai ka strehuar mijëra njerëz të zhvendosur nga territoret e pushtuara dhe vullnetarë që mbështesin përpjekjet e vendit për mbrojtje.
“Punonjësit e kompanive të energjisë tashmë po përpiqen të rikthejnë furnizimin, por puna e tyre po vështirësohet nga bombardimet e vazhdueshme ruse”, shkroi Hanzha në rrjetet sociale.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ndërprerje të energjisë elektrike ka në të gjithë vendin.
“Vetëm në rajonin Zhitomir, 140 ndërtesa banimi mbetën pa ngrohje pas një sulmi rus”, tha ai.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, në vitin 2022, Rusia i ka intensifikuar vazhdimisht sulmet ajrore gjatë muajve të ftohtë, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe objektet civile.
Këto sulme synojnë të rrisin presionin ndaj Kievit për të pranuar kushtet e Moskës për përfundimin e luftës.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet ruse vazhduan gjatë natës së 8 nëntorit dhe mëngjesit të 9 nëntorit.
Bisedimet në Abu Dabi
Sulmet e fundit ndodhën një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë se po përpiqet të ushtrojë presion maksimal mbi Ukrainën, përpara bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të mbahen këtë javë në Abu Dabi.
Sipas Zelenskyt, Moska synon ta lërë gjithë Ukrainën pa energji elektrike për të rritur presionin para negociatave.
Presidenti amerikan, Donald Trump, administrata e të cilit po përpiqet t’i japë fund luftës që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, në janar të vitit 2025, ka shprehur bindjen se një marrëveshje e madhe paqeje mund të jetë afër.
Ai ka lënë të kuptohet se marrëveshja mund të përfshijë jo vetëm Ukrainën, por edhe sigurinë e gjithë Evropës.
Kremlini ka ngritur më herët shqetësime për sigurinë e Rusisë në raport me vendet evropiane, duke e paraqitur këtë çështje si një tjetër pengesë për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit në Ukrainë.
Megjithatë, i dërguari i Trumpit, Jared Kushner, ka thënë se bisedimet do të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti.
Ai ka theksuar se asnjë vend nuk do ta ketë të drejtën të vendosë për zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një shteti tjetër.
Zyrtarët evropianë kanë kundërshtuar mundësinë që Evropa të përjashtohet nga bisedimet ku do të vendoset për të ardhmen e sigurisë së kontinentit.
“Evropianët do të jenë të përfaqësuar dhe Franca do të marrë pjesë në këto bisedime në Abu Dabi”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, për televizionin RTL më 8 nëntor.
Bisedimet në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe janë planifikuar të mbahen më 10 dhe 11 nëntor.
Edhe presidenti ukrainas, Zelensky, ka shprehur dyshime për propozimet e Trumpit për një rend të ri të sigurisë evropiane, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Kjo nuk është e thjeshtë dhe mund të jetë e rrezikshme për ne”, tha Zelensky për CNN-in më 6 nëntor.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili pritet të udhëtojë në Abu Dabi, tha se është shënuar njëfarë përparimi në diskutimet për mënyrën se si mund të organizohet siguria e Ukrainës dhe Evropës, pas përfundimit të luftës.
“Mendoj se presidenti po i referohet pikërisht kësaj – faktit që është bërë njëfarë përparimi në përcaktimin e mënyrës se si mund të duket arkitektura e sigurisë pas konfliktit”, tha Rubio.
Ai shtoi se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare, por se bisedimet në Abu Dabi mund të sjellin përparim të mëtejshëm.
Raporti i OKB-së: Viti 2026 drejt renditjes mes katër më të nxehtëve në histori prej fenomenit El Niño
Ukraina godet me dronë rafinerinë e dytë më të madhe të Rusisë, shkaktohet zjarr i madh dhe një viktimë
Fitues i Oscar, regjisori Sebastian Lelio ndërron jetë në moshën 52-vjeçare
- 11:04 Raporti i OKB-së: Viti 2026 drejt renditjes mes katër më të nxehtëve në histori prej fenomenit El Niño
- 11:00 Sulmi në Krakov, ish-kreu i sigurisë polake: Radikalizimi online po bëhet kërcënim serioz për Europën
- 10:57 Dëmtimi në këmbën e djathtë, Neuer do të jetë jashtë fushës së blertë për 2 muaj
- 10:52 Ukraina godet me dronë rafinerinë e dytë më të madhe të Rusisë, shkaktohet zjarr i madh dhe një viktimë
- 10:51 Fitues i Oscar, regjisori Sebastian Lelio ndërron jetë në moshën 52-vjeçare
- 10:44 Nominimi i Dana White për zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë, Trump: Thjesht po bëja shaka