Mbi 30 minuta trafik i bllokuar pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Makina ngado, rrugë të tejmbushura dhe ambulanca që duhet të presë me durim, se fundja pacienti mund t’i thotë vdekjes të presë pak derisa të lirohet trafiku!
Po nëse pacienti nuk e ka këtë luks dhe humbet jetën rrugës, kujt i mbetet faji?
Rrugëve që nuk përballojnë as trafikun e përditshëm? Atyre që kanë marrë tenderat miliona euro dhe që duhet të japin llogari ku kanë përfunduar paratë? Qeverisë që i ka dhënë këto tendera? Policisë që duhet të hapë rrugën për urgjencat? Apo ambulancës, që ende nuk është pajisur me krahë për të fluturuar mbi makina?
Me shumë mundësi, faji do të bëjë xhiron e institucioneve derisa të mos i mbetet askujt.
Ndërkohë, pacientit i kërkohet vetëm pak mirëkuptim: të mos ketë urgjencë në orarin e trafikut!