Në prag të dy ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve, ndaj Finlandës më 12 nëntor dhe Bjellorusisë më 15 nëntor, Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet me objektivin për të ruajtur vendin e parë në grup.

Nga “Shtëpia e Futbollit”, në konferencën për shtyp të ditës së sotme, për mediat foli edhe mesfushori Julian Shehu, i cili u ndal te ndryshimet në lojën e skuadrës me ardhjen e trajnerit Rolando Maran, detyrat e reja në fushë dhe rëndësia e dy përballjeve vendimtare.

Mënyra e futbollit të Maran, mesfusha ka ndryshuar?

Unë mendoj se mënyra si po luan ekipi më ofensiv ka dhënë frytet e veta. E rëndësishme është të ndihemi mirë dhe të respektojmë detyrat që na jep trajneri.

Kemi dy përballje, tek Finlanda. Sa e vështirë është të ruhet kryesimi?

Unë besoj se çdo ndeshje ka vështirësinë e vetë. Duhet të japim maksimumin. Presioni është pjesë e lojës. Jemi profesionistë dhe të dimë si ta përballojmë. Ta bëjmë lojën për të marrë rezultatin maksimal. Patjetër që është objektiv të jemi në krye.

Finlanda, a mendoni se këtë herë do jetë ndeshje ndryshe?

I vetmi ndryshim është se luajmë në shtëpi. Suporti i tifozëve shtysë e madhe për ne që të marrim maksimumin nga kjo lojë.

Çfarë detyrash keni ndryshe me Maran? Si është gjendja në skuadër dhe përgatitja?

Besoj që detyrat kanë ndryshuar për të gjithë ekipin. Të bëjmë presion më tepër. Patjetër që jemi gati të marrim maksimumin në këto dy sfida.

Titullar me Sylvinhon, tani ka ndryshuar me ardhjen e Maran?

Këto janë zgjedhje që i bën trajneri. Për aq kohë sa je në ekipin kombëtar, do japim maksimumin. Sa herë jemi në fushë do bëjmë maksimumin.

Top Channel