E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
KLSH “fundos” Bashkinë e Lushnjës: 33 karburante pa licencë dhe 1.86 mld lekë borxhe
Lajme

KLSH “fundos” Bashkinë e Lushnjës: 33 karburante pa licencë dhe 1.86 mld lekë borxhe

Ndërsa kryebashkiakja Eriselda Sefa promovon perspektivën e një Lushnjeje me dalje në det përmes bashkimit territorial me Divjakën, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) evidenton një panoramë krejt tjetër brenda institucionit që ajo drejton. Problemet me administrimin financiar, taksat e papaguara, aktivitetet ekonomike pa licencë dhe investimet e parealizuara nxjerrin në pah mangësi serioze në menaxhimin e bashkisë.

Raporti i auditimit për vitin 2025 evidenton një sërë problematikash, duke nisur nga 33 subjekte të tregtimit të hidrokarbureve që rezultojnë pa licencën përkatëse, deri te pasuritë publike të regjistruara në kontabilitet me vlera simbolike. Ndërkohë, detyrimet e papaguara ndaj bashkisë kanë arritur në 1.86 miliardë lekë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e investimeve të planifikuara nuk është realizuar.

Një nga gjetjet që bie më shumë në sy lidhet me tregun e hidrokarbureve. Nga 56 subjekte të identifikuara në territorin e Bashkisë Lushnjë, 33 prej tyre rezultojnë se kanë ushtruar aktivitet pa licencën përkatëse.

Përtej problematikës së licencimit, KLSH ka konstatuar edhe detyrime financiare të konsiderueshme të papaguara. Në total, 28 subjekte rezultojnë debitore ndaj bashkisë, me një borxh prej 23.5 milionë lekësh.

Prej kësaj shume, 14.3 milionë lekë u përkasin 17 subjekteve aktive që ushtrojnë aktivitet pa licencë, ndërsa 8.1 milionë lekë janë detyrime të nëntë subjekteve që kanë mbyllur aktivitetin. Auditimi evidenton se strukturat përgjegjëse nuk kishin hartuar një plan konkret për mbledhjen e këtyre detyrimeve, duke lënë të pazgjidhur një problematikë që lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e aktivitetit ekonomik dhe të ardhurat vendore.

Por administrimi i dobët financiar nuk kufizohet vetëm te karburantet.

Edhe programi i investimeve për vitin 2025 rezulton larg objektivave të miratuara. Bashkia kishte parashikuar 47 projekte, me një fond të përgjithshëm prej 525.4 milionë lekësh, por gjatë vitit arriti të realizojë vetëm 25 prej tyre, me vlerë 199.3 milionë lekë.

Në përqindje, realizimi financiar ishte vetëm 38%, ndërsa rreth 326 milionë lekë nga fondi i planifikuar mbetën pa u përdorur sipas programit fillestar.

Sipas audituesve, ndër faktorët që ndikuan në këtë rezultat ishin vonesat në procedurat e prokurimit, lidhja e kontratave në fund të vitit buxhetor dhe mosshfrytëzimi i fondeve të parashikuara. Gjetjet ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përcaktuar prioritetet dhe planifikuar projektet publike nga administrata e Eriselda Sefës.

Një tjetër problematikë, që tregon përmasat e mangësive në administrimin e pronës publike, lidhet me mënyrën se si janë regjistruar pasuritë e bashkisë.

KLSH ka konstatuar se 648,608 metra katrorë tokë, troje, parcela bujqësore dhe gurore janë pasqyruar në kontabilitet me një vlerë të përgjithshme prej vetëm 17 lekësh.

E njëjta situatë është evidentuar edhe për 12 ndërtesa të regjistruara në inventarin e pasurive që prej vitit 2024, të cilat rezultojnë të kontabilizuara me një vlerë totale prej 12 lekësh, pra vetëm një lek për secilën prej tyre.

Bëhet fjalë për vlera kontabël dhe jo për çmime shitjeje, por sipas KLSH-së, këto regjistrime nuk japin një pasqyrë reale të pasurisë që administron institucioni. Për këtë arsye, audituesit kanë kërkuar rivlerësimin e pronave dhe korrigjimin e pasqyrave financiare.

Probleme të tjera janë konstatuar edhe në mënyrën e raportimit të fondeve dhe rezultatit financiar. Sipas raportit, 566.7 milionë lekë fonde të trashëguara nga periudhat e mëparshme janë regjistruar sërish si të ardhura të periudhës.

Ky trajtim kontabël ka sjellë një mbivlerësim prej rreth 362.4 milionë lekësh të rezultatit financiar, pasi bëhej fjalë për fonde që ishin pasqyruar edhe më parë. KLSH ka kërkuar korrigjimin e regjistrimeve për të shmangur pasqyrimin e pasaktë të gjendjes financiare të bashkisë.

Ndërkohë, një tjetër alarm lidhet me detyrimet e papaguara nga taksat dhe tarifat vendore. Në fund të vitit 2025, stoku i borxhit të akumuluar, përfshirë kamatëvonesat, kishte arritur në 1.86 miliardë lekë.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë krijuar më shumë se 210 milionë lekë detyrime të reja, ndërsa 607.4 milionë lekë lidhen me debitorë problematikë, të cilët kanë të paktën dy vite që nuk shlyejnë detyrimet.

Auditimi evidenton mungesën e një plani të detajuar për mbledhjen e borxhit dhe mosndërmarrjen e disa masave administrative për sigurimin e arkëtimeve. Konkretisht, bashkia nuk kishte dërguar urdhra bllokimi pranë Kadastrës dhe strukturave të shërbimeve të transportit rrugor.

Edhe të ardhurat e mbledhura gjatë vitit rezultojnë më të ulëta se objektivi i përcaktuar. Nga 640.5 milionë lekë të planifikuara për t’u arkëtuar në vitin 2025, Bashkia Lushnjë arriti të realizojë vetëm 515.7 milionë lekë. Diferenca prej 124.8 milionë lekësh tregon se objektivat financiare mbetën të papërmbushura.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mangësi edhe në sistemin e kontrollit të brendshëm. Sipas raportit, përgjegjësi i strukturës së auditimit nuk zotëronte certifikimin e kërkuar profesional, ndërsa bashkia nuk kishte ngritur mekanizma të plotë për identifikimin dhe raportimin e rreziqeve të mashtrimit.

Në përfundim të kontrollit, KLSH ka evidentuar 22 gjetje dhe ka dhënë 27 rekomandime për përmirësimin e administrimit financiar dhe institucional. Për pasqyrat financiare të vitit 2025 është dhënë një opinion i kualifikuar me rezervë.

Të dhënat e auditimit vënë në kontrast ambiciet e shpallura për zhvillimin e Lushnjës me problematikat që vazhdojnë të rëndojnë administrimin e saj. Përpara se të flitet për zgjerimin e territorit dhe perspektivën e daljes në det, Bashkia Lushnjë përballet me një sërë çështjesh të pazgjidhura brenda kufijve që administron aktualisht: nga aktivitetet pa licencë dhe miliardat e taksave të pambledhura, te investimet e parealizuara dhe pronat publike të regjistruara me vlera simbolike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.