Kush janë “UFO-t” që shihen çdo fundjavë në shkollat e Tiranës? Bashkia zbulon misterin
Pamjet e njerëzve të veshur me tuta të bardha mbrojtëse, maska dhe pajisje spërkatëse, që shfaqen çdo fundjavë në oborret e shkollave të kryeqytetit, kanë ngjallur kureshtjen e shumë qytetarëve. Disa i kanë quajtur me shaka “UFO”. Por Bashkia e Tiranës sqaron se bëhet fjalë për punonjësit e DPOP.
“Nuk janë UFO, janë superheronjtë tanë të DPOP!”, shkruan Bashkia në një postim në rrjetet sociale.
Sipas institucionit, ekipet dalin në terren çdo fundjavë, kur mjediset janë bosh, për të kryer shërbimet e dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit (DDD) në shkolla, kopshte dhe çerdhe.
Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është që fëmijët të gjejnë ambiente më të pastra dhe më të sigurta kur rikthehen në mësim të hënën, duke parandaluar përhapjen e mikrobeve, insekteve dhe brejtësve.
Bashkia thekson se aksioni është pjesë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e fëmijëve në institucionet arsimore të kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco










