Buxheti 2027/Beci në Komision: Nevojiten investime në teknologjinë dhe infrastrukturën e RTSH-së

Nënkryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Petrit Beci, ka ngritur shqetësime për nivelin e financimit të transmetuesit publik, tarifën e shërbimit radioteleviziv dhe mungesën e investimeve në teknologji.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku po shqyrtohet projektligji “Për Buxhetin e vitit 2027”, Beci kundërshtoi vlerësimin se buxheti i RTSH-së ka pësuar rritje, duke argumentuar se shtesa e parashikuar lidhet kryesisht me pagat e orkestrës, të njësuara me ato të Orkestrës së Operës.
Sipas tij, nëse llogariten këto shpenzime, në zërat e tjerë të buxhetit vërehet një ulje.
“U tha se ka një shtesë për buxhetin e 2027 dhe unë nuk e shoh e kështu, shoh që ka një ulje për arsye sepse pesha specifike në shtesë gati 1 milionë e sa janë pagat e orkestrës që u shtuan vjet në tetor. Kështu që në të përgjithshmen shtesa shkon për paga dhe nuk shkon për gjërat ku edhe pagat e orkestrës se u njësuan me pagat e orkestrës së Operës por paralel shoh një ulje”, tha Beci.
Një tjetër çështje që ngriti Beci ishte tarifa e shërbimit radioteleviziv, për të cilën tha se nuk ka ndryshuar prej 17 vitesh.
Ai u shpreh kundër rritjes së taksave në parim, por e cilësoi nivelin aktual të tarifës si shumë të ulët, duke theksuar se financimi i mediave publike në vendet europiane mbështetet kryesisht te të ardhurat nga kjo tarifë.
“Ajo që unë dua të ngre është që në fakt nuk ka 12 vjet taksa, por ka 17 vjet me 1 janar, dhe 17 janë shumë në raport me të ardhurat, me buxhetin, me pagat e me radhë, nga krahu im jam që nuk duhet të shtojmë taksa, edhe si parim por kjo tarifë është për turp, është aq dhe gjithë baza e mediave publike në Europë është që baza janë të ardhurat. Kur është futur 100 lekë duhet të ishte 2.8 euro në atë kohë llogarit sa mund të jetë sot. Vendet më pak të zhvilluara në Europë, mediat publike nuk e kanë më pak se 3 euro në muaj. Mendoj se baza e buxhetit është tarifa sepse buxheti i shtetit sado që të jetë, si institucion publik i pavarur edhe financat e veta duhet të jenë të pavarura nga financimet e buxheteve të shtetit”, tha ai.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për gjendjen e pajisjeve dhe infrastrukturës teknologjike, duke thënë se RTSH ka nevoja urgjente për kamera, mikrofona dhe pajisje të tjera të prodhimit televiziv.
Sipas tij, ndërsa buxheti i RTSH-së ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel prej 5-6 vitesh. Ai shtoi se kjo situatë është shqetësuese edhe për shkak të rritjes së shpenzimeve administrative dhe nivelit të ulët të pagave në disa sektorë të institucionit.
“Nevojat janë urgjente në teknologji duke filluar që me gjërat më të thjeshta me të cilat prodhohet , kamerat, mikrofonat dhe deri tek pajisjet e sofistikuara dhe nuk po themi pastaj për studiot dhe gjërat tjera. RTSH sot nuk ka një autobus për të bërë broadcast. Para 15 vitesh buxheti i RTSh ka qenë dyfishi e mediave të mëdha kombëtare mbi bazën e deklarimeve. Sot ato janë diku tek 80-85% i buxhetit të RTSh që do të thotë që buxheti i tyre është shtuar në një masë shumë të madhe ndërkohë që ka 5-6 vjet që buxheti i RTSH rri te i njëjti nivel. Kjo është alarmante kur janë shtuar shumë shpenzimet administrative sepse pagat janë të ulëta në sektorë të caktuar të këtij institucioni”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



