Prokuroria e Posaçme po heton disa transferta financiare që dyshohet se lidhen me paratë e përfituara nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe që më pas mund të jenë kaluar drejt personave të afërt me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se në fokus të hetimeve janë disa transferta të nisura nga kompania e biznesmenit Orest Sota në drejtim të një kompanie në Gjermani, ku dyshohet se ka lidhje edhe vëllai i Vlora Hysenit. Sota është një prej biznesmenëve që po hetohen për lidhjet e dyshuara me AKSHI-n dhe marrëdhënien e afërt shoqërore me biznesmenin Ergys Agasi.

“Prokurorët janë duke hetuar disa transferta që janë dërguar nga kompania e Orest Sotës, një prej biznesmenëve të dyshuar për lidhje me AKSHI-n dhe lidhje të ngushtë shoqërore me Ergys Agasin, në drejtim të një kompanie në Gjermani, aty ku mendohet se është i lidhur me këtë kompani vëllai i Vlora Hysenit”, raportoi Lala.

Një prej elementeve që po verifikon SPAK është një shumë prej 450 mijë eurosh, e cila nuk ka mbërritur në destinacion. Megjithatë, hetuesit po përpiqen të zbardhin qëllimin e transfertave dhe burimin e parave.

Dyshimet e Prokurorisë lidhen me mundësinë që këto shuma të jenë krijuar nga manipulimi i procedurave të tenderimit në AKSHI dhe më pas të jenë kanalizuar drejt personave të afërt me ish-kreun e SHISH-it.

“Duhet theksuar se shuma prej 450 mijë eurosh nuk ka mbërritur në destinacion. Megjithatë, SPAK është duke hetuar rreth dyshimeve që mund të jenë para që rrjedhin nga manipulimi i tenderave në AKSHI dhe më pas janë kaluar tek të afërm të Vlora Hysenit”, bëri të ditur gazetarja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb