Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pritur në takim një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të udhëhequr nga drejtori për Evropë dhe Euroazi, Stephen Nix.

Gjatë takimit është diskutuar për forcimin e demokracisë, bashkëpunimin ndërmjet PDK-së dhe IRI-së, si dhe zhvillimin demokratik të partive politike dhe institucioneve në Kosovë.


Përmes një njoftimi, PDK ka bërë të ditur se Çitaku ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e IRI-së në forcimin e demokracisë së brendshme të partisë.

Ajo ka theksuar se PDK po hyn në një periudhë të rëndësishme të organizimit të brendshëm, gjatë së cilës pritet të zgjedhë lidershipin e ri dhe të përgatitet për sfidat e ardhshme politike.

Ndërkaq, drejtori i IRI-së, Stephen Nix, ka shprehur gatishmërinë e këtij institucioni për të vazhduar mbështetjen për proceset demokratike në Kosovë dhe më gjerë.

Në takim, Çitaku ka ritheksuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta, si liria, pluralizmi politik, sundimi i ligjit dhe llogaridhënia, duke i cilësuar ato si bazë për qëndrueshmërinë e demokracive liberale përballë sfidave globale. /Telegrafi/