“Task-forca ka nisur punën”, Vasili: Rishikojmë portofolin e kanaleve të RTSH-së, 8 fusha ndërhyrjeje për transformimin e institucionit

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka prezantuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ecurinë e reformës institucionale në RTSH, duke bërë të ditur se procesi ka nisur me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë të Unionit Europian të Transmetuesve (EBU). Sipas Vasilit, ekspertët e EBU-së kanë analizuar gjendjen aktuale të RTSH-së, sfidat organizative dhe kanë hartuar një raport diagnostikues, i cili shërben si bazë për procesin e transformimit të institucionit.
“Procesi ka filluar me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë të EBU-së, të cilët kanë analizuar gjendjen e RTSH-së, sfidat organizative dhe kanë dalë me raportin e diagnozës. Kemi një plan veprimi, atë të hartuar nga EBU për periudhën 2026-2030. Kemi gjithashtu edhe Strategjinë e Transformimit 2026-2030, të shoqëruar me udhërrëfyesin e zbatimit gradual. I gjeni edhe online në faqen e RTSH-së”, deklaroi Vasili.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH theksoi se strategjia synon krijimin e një modeli më efikas dhe të qëndrueshëm të medias publike, me fokus përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes, vlerën publike dhe përdorimin më të mirë të burimeve njerëzore, teknologjike dhe financiare.
“Strategjia synon një model më efikas, të qëndrueshëm të medias publike, me fokus cilësinë e përmbajtjes, vlerën publike, përdorimin më të mirë të burimeve njerëzore, teknologjike dhe financiare”, shtoi Vasili.
Tetë fushat ku do të ndërhyhet
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së bëri të ditur se procesi i transformimit është ndërtuar mbi tetë fusha kryesore ndërhyrjeje, të cilat do të përcaktojnë drejtimin e reformës në vitet e ardhshme.
“Tetë fushat e ndërhyrjes janë: drejtimi strategjik dhe vlera publike; portofoli i përmbajtjes dhe shërbimeve; stafi, kultura e punës dhe aftësitë; teknologjia dhe infrastruktura; qeverisja dhe lidershipi; audienca dhe zhvillimi digjital; modeli financiar dhe qëndrueshmëria; si dhe kapacitetet transformuese.”
Për zbatimin e këtyre objektivave është ngritur një task-forcë, e cila, sipas Vasilit, ka nisur punën dhe ka zhvilluar mbledhjet e para. Aktualisht, një prej proceseve që po trajtohet është racionalizimi i portofolit të kanaleve, në përputhje edhe me kërkesat e rezolutës së fundit të Kuvendit.
“Këto janë tetë drejtimet ku, edhe sipas EBU-së, do të vijojmë punën nëpërmjet një task-force, e cila është ngritur tashmë, ka filluar punën dhe ka zhvilluar mbledhjet. Është në fazën e miratimit të një prej kërkesave të rezolutës së fundit të Kuvendit, që është racionalizimi i portofolit”, u shpreh Vasili.
Task-forca nis punën për rishikimin e kanaleve të RTSH-së
Vasili bëri të ditur se ngritja e task-forcës është formalizuar përmes vendimeve përkatëse të Këshillit Drejtues dhe Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.
“Me vendimin nr. 33, datë 31.07.2026, të Këshillit Drejtues të RTSH-së, dhe me urdhrin nr. 101, datë 14.09.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm, ka filluar puna e task-forcës për koordinimin dhe zbatimin e procesit të transformimit institucional. Në përbërje të saj janë përfaqësues të strukturave kryesore të RTSH-së dhe ekspertë të jashtëm të fushave të ndryshme”, deklaroi Vasili.
Në kuadër të kësaj qasjeje, task-forca ka vendosur që procesin ta nisë me rishikimin e portofolit televiziv dhe radiofonik të RTSH-së. Ky proces do të shërbejë si pikënisje për diskutimet e mëtejshme mbi organizimin e shërbimeve, strukturat rajonale dhe përdorimin e burimeve të institucionit.
“Në kuadër të qasjes gjithëpërfshirëse, Task-Forca e ka parë të arsyeshme ta fillojë punën nga rishikimi i portofolit televiziv dhe radiofonik të RTSH-së. Ky proces po trajtohet si pikënisje për diskutimet e mëtejshme mbi organizimin e shërbimeve, strukturat rajonale dhe përdorimin e burimeve të institucionit”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme e RTSH.
Sipas Vasilit, vendimi i parë që pritet të dalë nga puna e task-forcës lidhet me racionalizimin e portofolit të kanaleve transmetuese të RTSH-së. Në këtë kuadër do të shqyrtohet numri i kanaleve, prania e transmetuesit publik në territor dhe portofoli radiofonik për periudhën 2027-2030.
Hapat e mëtejshëm të reformës
Pas përfundimit të kësaj faze të parë, reforma do të vijojë me përcaktimin e modelit ligjor dhe organizativ të institucionit, rishikimin përfundimtar të portofolit, përgatitjen e planit të zbatimit dhe zhvillimin e mëtejshëm digjital.
Në këtë proces parashikohet edhe forcimi i kapaciteteve institucionale, ndërsa plani i veprimit përcakton hapat konkretë dhe mënyrën e zbatimit të reformës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



