Aksident i frikshëm gjatë garave ilegale me makina në Prishtinë, mjeti përmbyset dhe fluturon disa metra (VIDEO)

Një aksident i frikshëm është regjistruar në Trudë të Prishtinës gjatë garave ilegale me makina, të cilat po zhvilloheshin pa leje. Pamjet e aksidentit janë publikuar në mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë, duke treguar momentin e përplasjes mes dy automjeteve që lëviznin me shpejtësi të lartë.
Në pamjet e publikuara shihet njëra prej veturave që, pas përplasjes, del nga kontrolli, përmbyset dhe përfundon disa metra larg vendit të goditjes.
Fatmirësisht, aksidenti ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Megjithatë, një person ka kërkuar dhe ka marrë ndihmë mjekësore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informacionin për aksidentin e ka marrë gjatë mesditës, pas së cilës njësia për kontrollin në autostrada ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Ndërkohë, efektivët po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, si dhe mënyrën se si janë zhvilluar garat me automjete pa lejen përkatëse.
/vizionplus.tv




