
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ka dalë në konferencën për shtyp në “Shtëpinë e Futbollit”, në prag të dy ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Gardiani kuqezi foli për objektivat e Shqipërisë, gjendjen e skuadrës dhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në këtë fazë vendimtare të kompeticionit. Berisha theksoi se Kombëtarja ka gjithçka në dorën e saj për të siguruar vendin e parë në grup.
“Nuk do ta konsideroja revansh. Çdo ndeshje ka historinë e vet. Duhet të fokusohemi te skuadra jonë. Gjithçka e kemi në dorën tonë dhe besoj se ekipi do të paraqitet mirë, sepse dëshira është shumë e madhe”, deklaroi Berisha.
Ai shfrytëzoi rastin për t’u bërë edhe një apel tifozëve shqiptarë, duke i ftuar të jenë pranë skuadrës në përballjen me Finlandën.
“Dua t’i ftoj të gjithë tifozët të na përkrahin. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë. Është e rëndësishme t’i kemi sa më pranë dhe të ecim përpara drejt objektivit për të marrë vendin e parë”, u shpreh portieri.
Sa i përket cilësive të dy skuadrave, Berisha beson se Shqipëria ka më shumë kualitet individual dhe lojtarë me eksperiencë, por paralajmëroi se Finlanda nuk duhet nënvlerësuar.
“Kemi lojtarë më cilësorë dhe me eksperiencë, por Finlanda nuk duhet nënvlerësuar. E kemi parë edhe në ndeshjen e fundit dhe kemi marrë një mësim të mirë. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Gjithsesi, luajmë në shtëpi dhe dëshira jonë është të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, theksoi Berisha.
Më pas ai foli për episodin e sfidës së parë si dhe për Caprile, që ka marrë shtetësinë shqiptare.
Nuk kam informacion për të dytën. Sa i përket atij momenti, ishte ndryshimi i mendjes në momentin e fundit kur erdhi pasimi. Desha të vazhdoj, por e ndryshova në momentin e fundit. Mirëpo në momentin e fundit nuk kam bërë kontakt. Mirëpo, lojtari dinte ta shfrytëzojë momentin. Duhet të merret loja e parë me Bjellorusinë që shumë raste kemi krijuar nga prapa, nga qarkullimi. Kemi dalë përpara. Duhet të vazhdojmë me këtë. Gabimet mund të ndodhin. Besoj se kjo i ka dhënë shumë vetëbesim. Nuk duhet të merret si gjë e madhe apo të ndryshohet”, deklaroi portieri kuqezi.
