E hënë, 9 Nëntor 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:00 Në vijim ora 14:00: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/2 përditësuar 8 minuta më parë
Vendi

Fluks vizitash në repartin infektiv të Vlorës, 90 raste brenda javës, qytetarët të shqetësuar për ujin e pijshëm

Rreth 90 persona janë paraqitur gjatë javës së fundit në repartin infektiv të Spitalit Rajonal të Vlorës, me diarre, të vjella dhe probleme gastrointestinale. Rastet e regjistruara kanë shtuar shqetësimin e qytetarëve, të cilët ngrenë dyshime për një ndotje të mundshme të ujit të pijshëm.

Disa prej tyre pohojnë se kanë pasur shqetësime të ngjashme shëndetësore gjatë ditëve të fundit, ndërsa të tjerë shprehen se nuk kanë pasur probleme dhe se për konsum përdorin kryesisht ujë të ambalazhuar.

Për situatën ka reaguar edhe Ujësjellës-Kanalizime Vlorë, i cili në një deklaratë zyrtare bën me dije se, bazuar në analizat e kryera deri më tani, parametrat e ujit kanë rezultuar brenda normave të lejuara.

Ndërkohë, përgjigjet përfundimtare priten nga Instituti i Shëndetit Publik, pas analizimit të mostrave të marra, të cilat pritet të përcaktojnë nëse ekziston një lidhje mes rasteve të raportuara dhe cilësisë së ujit të pijshëm.

Reklamë

Sa i përket gjendjes shëndetësore të fëmijëve, të shtatë të miturit që ishin të shtruar në repartin e pediatrisë ditën e premte kanë lënë sot spitalin dhe janë rikthyer në banesat e tyre.

Megjithatë, fluksi në repartin infektiv ka vijuar edhe gjatë fundjavës, ku të shtunën janë regjistruar 35 vizita dhe të dielën 25 të tjera.

Pacientët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë larguar nga spitali. Ndërsa gjatë ditës së sotme, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë më i ulët, me vetëm pesë vizita të regjistruara.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.