Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka vlerësuar mundësinë e kandidimit të Ilir Alimehmetit për Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar atë si një kandidaturë shumë të mirë për opozitën.
I ftuar në emisionin “Puls”, Bardhi u shpreh se Alimehmeti do të përbënte një ofertë serioze të opozitës përballë kandidaturës së Edi Ramës në kryeqytet.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk bëhet fjalë për një kandidaturë zyrtare, pasi procesi i përzgjedhjes duhet të kalojë përmes dialogut, konsensusit dhe strukturave përkatëse të Partisë Demokratike.
“Z. Alimehmeti do të ishte një kandidaturë e shkëlqyer e opozitës për Tiranën. Megjithatë, unë nuk dua të shpall kandidatura nga media, për shkak se, së pari, duhet t’i japim mundësi këtij dialogu dhe këtij konsensusi të gjerë që unë po flas, dhe së dyti, do të duhet t’i japim hapësirën e vet organeve brenda PD-së për caktimin e kandidatëve zyrtarë të PD-së.
Por po, z. Alimehmeti është një kandidat që, në vlerësimin tim, do të ishte një ofertë shumë serioze, shumë e mirë, përballë kandidaturës së Ramës në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Bardhi.













