Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore nga radhët e PD-së, Oerd Bylykbashi, ka shpjeguar arsyet e largimit të opozitës nga mbledhja e komisionit.

Bylykbashi deklaroi se Partia Socialiste ka përfshirë në diskutime një çështje që, sipas tij, nuk përbën prioritet të reformës zgjedhore dhe nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Ai akuzoi mazhorancën se po përpiqet të përdorë këtë çështje për të përfunduar punën e komisionit dhe për të përsëritur atë që, sipas tij, ndodhi me Reformën Territoriale.

Bylykbashi theksoi se opozita nuk do të lejojë që i njëjti skenar të përsëritet edhe në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

Sipas tij, prioriteti kryesor i rekomandimeve të OSBE-ODIHR është ndarja e shtetit nga partia, të cilën ai e cilësoi si një nga arsyet kryesore të problemeve me proceset zgjedhore në Shqipëri.

“PS futi një çështje që nuk është prioritet i reformës zgjedhore dhe nuk është rekomandim i OSBE-ODIHR. Ajo nuk mund të diskutohej. PS do ta fusë për të përfunduar punën e komisionit dhe për të fituar kohë, që të bëjë të njëjtën gjë si me Reformën Territoriale. Kjo nuk do të ndodhë me Komisionin e Reformës Zgjedhore. Prioriteti i OSBE-së është ndarja e pushtetit nga partia, që është arsyeja kryesore pse zgjedhjet shkatërrohen”, deklaroi Bylykbashi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb