Një festë ku nuk je ftuar, një udhëtim që nuk e ke bërë apo një darkë ku të gjithë miqtë duket se po argëtohen pa ty. Mjafton të hapësh rrjetet sociale për t’u përballur me dhjetëra momente nga jeta e njerëzve të tjerë. Kjo ndjesi se po humbasim eksperienca, mundësi apo momente të rëndësishme njihet si FOMO, shkurtimi i shprehjes angleze Fear of Missing Out. Fenomeni është bërë veçanërisht i dukshëm në epokën e rrjeteve sociale, ku përdoruesit kanë mundësi të shohin vazhdimisht se çfarë po bëjnë të tjerët. Problemi nuk lidhet vetëm me dëshirën për të marrë pjesë në aktivitete, por edhe me ndjesinë se jeta e të tjerëve është më interesante se e jona.
Një studim gjashtëmujor, i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore Addictive Behaviors, analizoi lidhjen mes FOMO-s dhe përdorimit të rrjeteve sociale te të rinjtë. Në kërkim morën pjesë 1,125 persona, të moshës 17 deri në 26 vjeç, me një moshë mesatare rreth 20 vjeç. Studiuesit identifikuan pesë profile të ndryshme të FOMO-s, duke analizuar si prirjen e përgjithshme për të pasur frikë se po humbasin diçka, ashtu edhe ndjesinë që shfaqet në situata konkrete online. Rezultatet treguan se personat me nivele të larta të të dy formave të FOMO-s kishin më shumë gjasa të angazhoheshin në rrjetet sociale dhe të përjetonin vështirësi në kontrollin e përdorimit të tyre. Disa nga këto profile ndihmonin gjithashtu në parashikimin e sjelljeve të përdorimit të rrjeteve sociale gjashtë muaj më vonë.
Ky fenomen mund të shpjegojë pse disa të rinj e kontrollojnë vazhdimisht telefonin edhe kur nuk presin ndonjë mesazh të rëndësishëm. Frika se mund të humbasin një informacion, një ftesë apo një moment interesant i mban të lidhur me ekranin. Në të njëjtën kohë, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj eksperiencave të të tjerëve mund të krijojë pritshmëri jorealiste për mënyrën se si duhet të duket jeta personale. Studiuesit theksojnë rëndësinë e kuptimit të këtyre sjelljeve për të parandaluar përdorimin problematik të rrjeteve sociale. Ndonjëherë, frika se po humbasim diçka jashtë ekranit na bën të humbasim pikërisht momentin që po jetojmë.