Bota

Trump mbron CEO-n e gjigantit amerikan të teknologjisë pas aferës me biznesmenen kineze që dyshohet se e përgjonte: Është njeri i ndershëm, e ka ndihmuar shumë vendin tonë

Nvidia është e tronditur nga zbulimet rreth aferës së dyshuar të CEO-së së saj Jensen Huang me një biznesmene kineze e cila dyshohet se i ka kaluar informacione Pekinit.

Aksionet e gjigantit amerikan të teknologjisë ranë me më shumë se 6% sot, ndërsa kompania nisi një hetim të brendshëm nëse drejtori i saj ekzekutiv ishte shënjestër e agjencive të huaja të inteligjencës. Në të njëjtën kohë, Donald Trump shprehu publikisht vlerësimin e tij për Huang, të cilin e përshkroi si një “njeri të ndershëm”.

“Ai është një njeri i ndershëm, ai ka bërë një punë të mrekullueshme për vendin tonë”, tha presidenti.

Presidenti amerikan mbrojti CEO-në e Nvidia-së Jensen Huang, duke lavdëruar kontributin e tij në Shtetet e Bashkuara, megjithëse sqaroi se nuk kishte diskutuar me të akuzat për marrëdhënien e tij me një biznesmene kineze e cila dyshohet se i ka kaluar informacione Pekinit.

“Nuk kam folur me të për këtë. E tëra çfarë di është se ai është një person i shkëlqyer, por kurrë nuk e di se çfarë ndodh. Shpresoj që gjithçka të jetë mirë”, u tha Trump gazetarëve.

Kur u pyet nëse mendonte se shefi i Nvidia-s mund të justifikonte atë që është zbuluar, Trump u përgjigj: “Mendoj se ai ka një shpjegim. Duhet ta dëgjojmë.”

Presidenti amerikan u pyet gjithashtu nëse do ta përfshinte Huang në turneun e tij të planifikuar në Azi javën e ardhshme.

“Nuk e di, por patjetër do ta merrja me vete”, u përgjigj ai.

Sipas New York Times, Trump u informua mbi gjetjet e inteligjencës amerikane rreth një vit më parë, por zgjodhi të mos ndërmerrte asnjë veprim.

Kur u pyet nëse mendonte se duhej të kishte vepruar mbi informacionin që i ishte paraqitur, ai tha jo.