Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka folur hapur për vështirësitë që po përjeton në përballjen me kancerin e prostatës, duke pranuar se sëmundja ka ndikuar në jetën e tij të përditshme dhe e ka detyruar të kufizojë aktivitetet publike.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, 83-vjeçari u shpreh se gjendja e tij ndryshon nga dita në ditë, ndërsa mjekët mbeten optimistë për reagimin ndaj trajtimit.
“Ka ditë më të mira dhe ditë më të vështira. Kjo nuk më ka ndalur, por ndonjëherë më ngadalëson”, shkroi Biden.
Ai bëri të ditur se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk do të mund të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe aktivitetet promovuese për librin e tij të ri me kujtime. Ish-presidenti tregoi se ishte diagnostikuar me kancer gjatë kohës që po punonte për këtë vepër.
“Gjatë shkrimit të librit u diagnostikova me kancer, një sëmundje që e njohin shumë mirë miliona amerikanë dhe familjet e tyre”, theksoi ai.
Biden e bëri publike diagnozën në vitin 2025, duke zbuluar se kanceri i prostatës ishte përhapur edhe në kocka. Gjatë vjeshtës së po atij viti, ai iu nënshtrua radioterapisë dhe përfundoi një fazë të rëndësishme të trajtimit.
Libri i tij i ri pritet të trajtojë vitet në Shtëpinë e Bardhë, sfidat e presidencës dhe vendimet që shënuan mandatin e tij, si dhe reflektimet mbi identitetin dhe vlerat amerikane.
Në fund të mesazhit, ish-presidenti ndau një këshillë që, sipas tij, ia kishte dhënë i ati dhe që e ka shoqëruar gjatë jetës.
“Bir, kur të rrëzohesh, ngrihu përsëri”, shkroi Biden, duke e lidhur këtë mesazh me betejën e tij personale dhe qëndrueshmërinë përballë vështirësive.









Komente
Komento