Pse u transferua Veliaj në Fier? Pyetja që vuri në vështirësi drejtoreshën e Burgjeve
Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe institucional. Lëvizja e kryebashkiakut të pezulluar, e kryer rreth dhjetë ditë më parë, shkaktoi reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje mbi arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi.
Pavarësisht interesit të madh publik, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka dhënë deri më tani një shpjegim të detajuar për këtë transferim, duke e cilësuar më herët informacionin si sekret shtetëror.
Çështja u rikthye në vëmendje gjatë raportimit të drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, në Komisionin e Ligjeve, ku ajo ishte thirrur për të diskutuar mbi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Deputeti Erald Kapri e pyeti drejtpërdrejt për transferimin e Erion Veliajt në Fier, si dhe për procedurat dhe kriteret që u ndoqën për të marrë këtë vendim.
Në përgjigjen e saj, Bodo nuk dha hollësi konkrete mbi rastin e Veliajt, por iu referua kompetencave ligjore të Drejtorisë së Burgjeve për lëvizjen e të dënuarve. Ajo i sugjeroi deputetit që të depozitojë një kërkesë zyrtare, përmes së cilës mund të marrë përgjigje të plota për çështjet e ngritura.
Për të argumentuar se transferimet janë pjesë e veprimtarisë së zakonshme të institucionit, drejtoresha zbuloi edhe numrin e urdhrave që kishte firmosur vetëm gjatë ditës së premte.
Sipas saj, bëhej fjalë për plot 93 urdhra transferimi, të cilët ishin miratuar për arsye të ndryshme të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
“Vetëm të premten kam firmosur 93 urdhra transferimi për arsye të caktuara që parashikon ligji. Çdo urdhër transferimi është kompetencë e autorizuar nga ligji për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve”, deklaroi Bodo para deputetëve.
Megjithatë, shifra e bërë publike nuk u shoqërua me sqarime specifike për rastin e Erion Veliajt, i cili mbetet në qendër të debatit për mënyrën dhe arsyet e transferimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



