
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, deklaroi se shumica patriotike e shqiptarëve është sot kundër autokracisë dhe se qytetarët janë prekur në dinjitet. Ai bëri thirrje për bashkim të opozitës, me qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Kedhi tha se ndan të njëjtat shqetësime me të rinjtë që kanë dalë në protestë.
Sipas tij, të rinjtë dhe familjet e tyre janë prekur në dinjitet, sepse nuk arrijnë të ecin përpara dhe nuk gjejnë njohje. Ai shtoi se një i ri sot nuk mund të blejë një apartament dhe as të marrë një apartament me qira. “Sot shumica patriotike janë kundër autokracisë. Të rinjtë janë heronj, kanë qasje fitimtari.
PD do i mbështesë të rinjtë, sepse e kemi detyrë patriotike u shpreh nënkryetari i PD-së.” Ai akuzoi gjithashtu Policinë për dhunë gjatë protestës, duke e cilësuar atë barbare dhe duke thënë se veprimi i saj dukej sikur përballë kishte një ushtri armike. Kandidatët për zgjedhjet vendore I pyetur nëse Partia Demokratike e ka gati listën e kandidatëve për zgjedhjet vendore, Nikola Kedhi u përgjigj se në parti ka figura të shumta me vlera dhe se emrat do të dalin së shpejti.
Sipas tij, pritet të mbahet një mbledhje ku do të përzgjidhen kandidatët, ndërsa ftesa është e hapur për të gjithë. “Kushdo që e quan veten patriot e kushdo që është kundër autokracisë, që në fakt është pakicë, të bashkohet. Shqipëria kërkon që ne si opozitë të bashkohemi dhe të rrëzojmë autokracinë”, tha ai.
Kedhi theksoi se kandidati i PD-së apo i opozitës për Tiranën duhet të jetë politik, pasi, sipas tij, gjithçka është politike, edhe kur kërkesa është e thjeshtë.
