
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, e ka cilësuar progresraportin e BE-së për vitin 2026 si vlerësimin më gjithëpërfshirës të përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit. Dokumentin ia dorëzoi ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, në një takim mes tyre.
Sipas Hoxhës, raporti është baza për hapat e mëtejshëm të vendit. Ai vlerësoi se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm, por duhet të përballet edhe me sfidat që mbeten.
“Shqipëria është e aftë jo vetëm të marrë angazhime, por edhe t’i përmbushë ato”, shkroi kreu i diplomacisë në rrjetin X.
Hoxha veçoi se objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 është pasqyruar për herë të parë në një dokument të BE-së si “ambicioz, por i arritshëm”. Realizimi i tij, theksoi ai, kërkon reforma cilësore dhe zbatim të qëndrueshëm.
