Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar rezultatet e një ankete kombëtare përmes së cilës ka matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë dhe aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas rezultateve të anketës, 72.1 për qind e të anketuarve kanë qëndrim negativ ndaj Dhomave të Specializuara, ndërsa 83.5 për qind e konsiderojnë të padrejtë aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.


Hulumtimi, i realizuar me 1,139 respondentë në të gjitha 38 komunat e Kosovës, tregon gjithashtu se 81.7 për qind e të anketuarve kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit të Kosovës. Ndërkaq, 74 për qind mbështesin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa 78 për qind deklarojnë se i mbështesin protestat që pasuan publikimin e aktgjykimit.

QKSS vlerëson se kundërshtimi ndaj kësaj gjykate është edhe më i theksuar në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Sipas të dhënave, 87.7 për qind e respondentëve shqiptarë e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë, 88.7 për qind kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit, ndërsa 80.2 për qind mbështesin shfuqizimin e saj.

Një tjetër e dhënë e hulumtimit tregon se 67 për qind e respondentëve shqiptarë kanë qëndrim kritik në të katër çështjet e analizuara njëkohësisht, çka, sipas QKSS-së, dëshmon se kundërshtimi nuk është i vakët apo i pavendosur.

Në analizën e rezultateve, QKSS thekson se pakënaqësia nuk drejtohet ndaj drejtësisë në përgjithësi, por specifikisht ndaj Dhomave të Specializuara. Sipas organizatës, të anketuarit shqiptarë që kanë besim në gjykatat e Kosovës janë pothuajse po aq kritikë ndaj Speciales sa ata që nuk kanë besim në institucionet vendore të drejtësisë.

Hulumtimi vëren gjithashtu një lidhje ndërmjet perceptimit të luftës së UÇK-së dhe qëndrimeve ndaj aktgjykimit. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës që besojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë zhvilluar një luftë të drejtë, 94.7 për qind e konsiderojnë të padrejtë aktgjykimin.

Megjithatë, edhe në mesin e atyre që nuk ndajnë këtë perceptim, 59.4 për qind kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit, ndërsa 53.1 për qind mbështesin shfuqizimin e saj.

Sa u përket respondentëve serbë, QKSS evidenton dallime të mëdha ndërmjet atyre që jetojnë në jug dhe në veri të Kosovës. Në komunat në jug të lumit Ibër, 83 për qind e të anketuarve e konsiderojnë aktgjykimin të drejtë. Ndërsa në katër komunat veriore, 72.5 për qind e konsiderojnë atë të padrejtë.

Megjithatë, në veri, pothuajse të gjithë respondentët kanë zgjedhur përgjigjen “nuk e di/nuk kam mendim” në pyetjet që lidhen me vetë institucionin e Dhomave të Specializuara. QKSS thekson se këto rezultate nuk lejojnë që serbët e Kosovës të paraqiten si një grup homogjen që e mbështet gjykatën.

Në shpjegimin e faktorëve që ndikojnë në qëndrimet negative të shqiptarëve, QKSS përmend themelimin e gjykatës nën presion të madh ndërkombëtar dhe kundër vullnetit të shumicës së opinionit publik në Kosovë, si dhe faktin se përfitimet që ishin ndërlidhur me themelimin e saj nuk u realizuan.

Organizata vë në pah edhe mungesën e llogaridhënies së Dhomave të Specializuara para institucioneve të Kosovës, si dhe shqetësimet lidhur me të drejtën për një gjykim të drejtë, të ngritura më parë nga Avokati i Popullit dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Sipas QKSS-së, një faktor tjetër është mënyra se si procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së është perceptuar nga shumica e shqiptarëve të Kosovës, të cilët, pavarësisht se juridikisht bëhet fjalë për përgjegjësi individuale penale, e kanë përjetuar atë si një gjykim ndaj vetë luftës çlirimtare.

Në përfundim, QKSS thekson se kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara nuk duhet të ngatërrohet me mohimin e vuajtjeve të viktimave të luftës.

“Ky është një problem legjitimiteti që kërkon përgjigje institucionale dhe nuk duhet të shndërrohet kurrë në arsyetim për të injoruar cilëndo viktimë të luftës”, thuhet në përmbledhjen e hulumtimit.

QKSS nënvizon se asnjë prej gjetjeve të anketës nuk vë në pikëpyetje vuajtjet e viktimave shqiptare, serbe dhe rome, duke rikujtuar se shumë prej viktimave të përmendura në aktgjykim kanë qenë vetë shqiptarë të Kosovës.