Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka konfirmuar se do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit, duke theksuar se do të garojë si kandidat i pavarur.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Binaj deklaroi se mbetet në të njëjtin pozicion që kishte shprehur në nëntorin e kaluar, kur zgjedhjet u anuluan.
Ai bëri të ditur se u ka ofruar bashkëpunim të gjitha forcave politike opozitare, me synimin për të krijuar një front të përbashkët për garën në kryeqytet.
“E konfirmoj pa diskutim kandidimin. I qëndroj asaj që kam thënë në nëntorin e kaluar, kur u anuluan zgjedhjet. Jam kandidat i pavarur që ua kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive të opozitës, për të krijuar një bashkëpunim që ka të njëjtin qëllim, por mënyra të ndryshme”, deklaroi Binaj.
Me këtë qëndrim, ai konfirmon synimin për të hyrë në garën për drejtimin e Bashkisë së Tiranës si kandidat i pavarur, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e partive opozitare.
