Shpërthimi i fuqishëm në një fabrikë hekuri dhe çeliku në afërsi të Izmirit, në perëndim të Turqisë, la të vdekur gjashtë persona dhe plagosi rreth 14 të tjerë.
Ngjarja ndodhi të hënën. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, bilanci i viktimave u rëndua gradualisht, njoftuan autoritetet vendase.
Të lidhura
None found
Në raportimin e parë, zyra e guvernatorit bëri të ditur se tre persona kishin humbur jetën, 14 ishin plagosur dhe 10 të tjerë ndodheshin të bllokuar nën rrënoja. Më pas, autoritetet konfirmuan vdekjen e një të plagosuri dhe të dy personave të nxjerrë nga rrënojat, të cilët nuk i mbijetuan plagëve.
Me këto raste, numri i viktimave shkoi në gjashtë. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijuan punën në fabrikë, ndërsa autoritetet po ndjekin zhvillimet dhe po hetojnë rrethanat e shpërthimit.
Deniz Ulker, dëshmitar i ngjarjes që po kalonte pranë fabrikës në çastin e shpërthimit, tha se lëkundja i ishte dukur si tërmet.
“M’u duk sikur toka lëvizte nën këmbët tona dhe mendova se kishte rënë tërmet. Kur hodha sytë nga fabrika, në anën tjetër të rrugës, pashë tym të zi e të dendur që dilte prej saj. Zjarri kishte rënë në zonën ku ndodhej oxhaku”, tha Ulker për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se çfarë e shkaktoi incidentin.








