
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë përfshirë në debate politike dhe përplasje mes tyre duke lënë në vendnumëro punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe vënë në pikëpyetje mundësinë e arritjes së një produkti konkret konsensual nga ky proces.
Pas rreth tre muajsh pa aktivitet, mbledhja e parashikuar të hënën dështoi të zhvillohej, ndërsa afatit ligjor të punës së këtij komisioni bipartizan po i vjen fundi. Në këto kushte, socialistët paralajmëruan se mund të miratojnë ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor nëse demokratët nuk do të kthehen në tryezën e bisedimeve.
Në nisje të mbledhjes, bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi refuzoi rendin e ditës duke kundërshtuar përfshirjen e diskutimit mbi detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.
Sipas tij, kjo pikë nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe është përfshirë në mënyrë të njëanshme, pa dakordësinë e bashkëkryetarëve.
Bylykbashi kërkoi që në vend të saj të diskutohej rekomandimi për ndarjen e shtetit nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror gjatë zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë një nga çështjet prioritare për zgjedhjet e ardhshme vendore të 9 majit 2027.
Ai theksoi gjithashtu se Partia Demokratike propozon ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe se mandati i komisionit përfundon më 30 nëntor, çka, sipas tij, kërkon përqendrimin e punës te çështjet prioritare.
Bylykbashi vuri veton për rendin e ditës dhe u largua nga mbledhja bashkë me anëtarët demokratë, ndërsa bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri e akuzoi për bojkot të komisionit.
Përplasja në komision u komentua nga kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili paralajmëroi se mazhoranca do të vijonte punën për të dërguar në parlament propozimet e saj nëse opozita nuk rikthehej në komision deri në fund të nëntorit.
“Partia Demokratike duhet ta ketë shumë të qartë: koha kur kishte të drejtën ekskluzive të bllokimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor”, u shpreh Balla në një komunikim me mediat të hënën duke paralajmëruar se “në të kundërt Partia Socialiste do të vijojë me propozimet e saj në Kuvend, duke shfrytëzuar shumicën prej tre të pestash”.
Me një mazhorancë në Kuvend prej 82 deputetësh dhe 3 votat e Partisë Social Demokrate të Tom Doshit, Partia Socialiste mund të votojë reforma që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe më parë janë bërë vetëm me anë të një konsensusi të gjerë politik.
Në këtë mënyrë, ajo votoi edhe hartën e re territoriale të vendit disa javë më parë për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa komisioni i posaçëm bipartizan i ngritur për këtë qëllim nuk arriti në asnjë produkt të përbashkët.





