"Shkëmbimet shkollore kanë ndikim të rëndësishëm dhe shumëdimensional pozitiv në sistemin arsimor. Ato mundësojnë shkëmbimin e praktikave të mira, njohurive dhe përvojave, të cilat mund të zbatohen dhe përshtaten në mjedise të ndryshme arsimore. Njëkohësisht, u japin mundësi mësimdhënësve të mësojnë nga njëri-tjetri, shkollave të zhvillojnë partneritete të reja, ndërsa nxënësve të socializohen, të njihen me popuj dhe kultura të tjera, të respektojnë diversitetin dhe të zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj komuniteti më të gjerë".

Këtë e theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska, gjatë prezantimit të shkollave që këtë vit janë pjesë e Skemës së Shkëmbimit të Shkollave të Ballkanit Perëndimor- program bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), ndërsa zbatohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).


"Më e rëndësishmja është se, përmes përvojave të tilla, të rinjtë përvetësojnë vlera dhe formohen si individë. Këto vlera nuk mbeten vetëm në klasë apo në shkollë. Nxënësit i bartin ato në shtëpitë e tyre, i përcjellin te familjet dhe komunitetet ku jetojnë dhe, në këtë mënyrë, kontribuojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe më solidare. Nisma “Supershkollat” është e shkëlqyer.

"Shkollat tona kanë mundësinë të krijojnë partneritete me shkolla nga vende të tjera, veçanërisht më gëzon fakti që, përmes thirrjes së re, synohet që këto partneritete të mos përfundojnë me realizimin e një projekti të vetëm, por të shndërrohen në marrëdhënie afatgjata dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve arsimore, mësimdhënësve dhe nxënësve”, theksoi Ivanovska.

Sekretari shtetërore theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, pavarësisht ngjashmërive të shumta të përbashkëta historike, kulturore dhe shoqërore, gjatë dekadave të fundit ka kaluar nëpër procese që kanë lënë pasoja në besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve. Prandaj, sot më shumë se kurrë nevojiten iniciativa që i afrojnë njerëzit, tejkalojnë paragjykimet dhe krijojnë ura të reja bashkëpunimi.

"Pikërisht arsimi dhe të rinjtë janë pikënisja më e mirë për këtë. Përmes hapjes së sistemeve arsimore, shkëmbimit të përvojave dhe aktiviteteve të përbashkëta, krijojmë kushte për mirëkuptim më të mirë të ndërsjellë dhe për një rajon ku bashkëpunimi, e jo ndarjet, do të jetë përcaktimi ynë i përbashkët”, shtoi Ivanovska, duke shprehur mirënjohje për zbatuesit dhe mbështetësit e programit për përgjegjësinë e treguar ndaj të rinjve dhe së ardhmes së tyre.

Sot u prezantuan gjithsej 52 shkolla nga rajoni, të cilat, përmes thirrjes së pestë të hapur për rrjetëzim në kuadër të programit „Supershkollat”, do të vazhdojnë të zhvillojnë partneritetet e krijuara tashmë përmes thirrjeve të mëparshme. Prej tyre, 10 shkolla janë nga Maqedonia: SHMK „Gjorçe Petrov” dhe SHMK „Orde Çopela” nga Prilepi, SHMEK „8 Shtatori” – Tetovë, SHMQSH „Josip Broz Tito” – Shkup, SHMK „Lupço Santov” – Koçan, SHMK „Mavrovë-Rostushë” – Mavrovë-Rostushë, SHMU „Dr. Jovan Kallauzi” – Manastir, QRAPT „Kiro Burnaz” – Kumanovë, QRAPT „Vanço Pitosheski” – Ohër dhe SHMK „Josif Josifovski” – Gjevgjeli.