Një zbulim i pazakontë është bërë gjatë kontrollit të rezidencës verore të ish-presidentit të Paraguait, Santiago Peña, ku autoritetet kanë gjetur një kasafortë të fshehur pas një muri të rremë.
Kontrolli u zhvillua të dielën në mbrëmje, në pronën që ndodhet në zonën San Bernardino, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Asunción, në kuadër të hetimeve për skandalin financiar që lidhet me kolapsin e bankës Ueno.
Sipas raportimeve të mediave paraguajane, kasaforta ishte e pajisur me një derë të blinduar dhe një sistem sigurie mjaft të sofistikuar, i cili dyshohet se përfshin njohjen e irisit të syrit, gjurmët e gishtërinjve dhe kode numerike. Megjithatë, hetuesit nuk arritën të depërtonin në të dhe ende nuk dihet se çfarë fshihet brenda.
Sipas hetimeve, rezidenca luksoze, e ndërtuar gjatë viteve 2024-2025, dyshohet se është financuar përmes kredive të marra nga banka Ueno. Prokuroria po shqyrton mënyrën e financimit të pronës dhe marrëdhëniet financiare mes ish-presidentit dhe institucionit bankar.
Kolapsi i Ueno Bank la afro 3 milionë klientë pa akses në llogaritë e tyre, duke shkaktuar një krizë të rëndë financiare dhe politike në vend.
Skandali çoi edhe në shkarkimin e Santiago Peñës nga detyra përmes procedurës së shkarkimit parlamentar. Ish-presidenti ndodhet aktualisht në paraburgim, pasi është vënë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe përfitim personal nga pozicioni i tij. Peña i ka mohuar akuzat.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha dyshimet që lidhen me kolapsin e bankës dhe financimin e pasurisë së ish-kreut të shtetit.