A mjafton një përqafim për të larguar stresin? Prethi: Qetësia vjen nga familja! Zhuri: Shumë prindër nuk dinë t’a shprehin dashurinë

“Sipas një studimi për të larguar stresin mjafton një përqafim i partnerit. Por, a mjafton?” Ishte kjo një nga temat e kësaj të hëne në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion” nën moderimin e Fjodora Fjorës.
Të ftuarit ndanë përvojat dhe këndvështrimet e tyre mbi rëndësinë e mbështetjes familjare, komunikimit dhe shprehjes së emocioneve.
Avokatja Dorina Prethi theksoi se mbështetja e partnerit është thelbësore për të përballuar vështirësitë e përditshme. Sipas saj, qetësia dhe mirëqenia e njeriut burojnë në një masë të madhe nga familja dhe marrëdhënia në çift.
“Është e rëndësishme mbështetja e partnerit. Unë të gjitha gjërat që bëj në jetë nuk do t’i bëja pa pasur mbështetjen e tij. Njeriu, që të flasë mirë, të ndihet mirë dhe të bëjë gjëra të mira, duhet të jetë i qetë. Dhe qetësia vjen nga familja, nga shtëpia. Unë shumë cilësi të miat i kam përmirësuar në martesë. Më ka ndodhur që, në përplasjet në çift, nëse jemi të dy ‘hekur’, nuk zgjidhim asgjë. Kur njëri është hekur, sepse ka kaluar një ditë të vështirë, tjetri duhet të jetë pambuk. Kështu e mëson edhe partnerin të bëjë të njëjtën gjë”, tha Prethi.
Nga ana tjetër, dietologu dhe nutricionisti Pavli Brozi iu referua një studimi 78-vjeçar, sipas të cilit marrëdhëniet e mira me njerëzit janë një nga faktorët kryesorë të një jete të lumtur dhe cilësore.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për vështirësinë që kanë veçanërisht burrat në shprehjen e emocioneve.
“Një studim 78-vjeçar thotë se një jetë të mirë e bën një marrëdhënie e mirë me njerëzit. Jetë cilësore e bëjnë marrëdhëniet me të tjerët. Është studimi më i gjatë. Shumë meshkuj në Shqipëri jemi rritur me idenë se nuk qajmë dhe nuk qeshim. Nëse shkon dhe i thua dikujt: ‘Shiko, sot jam i mërzitur’, të përgjigjet: ‘Okej’. Shumë meshkuj nuk e shprehin fare mërzinë”, u shpreh Brozi.
Ndërsa sipërmarrësi Bujar Zhuri u ndal te marrëdhënia mes prindërve dhe fëmijëve, duke theksuar se dashuria duhet të shprehet.
“Unë kam dy fëmijë të rritur dhe flas me ta lirshëm. Ne kemi prindër që na duan, por nuk dinë ta shprehin dashurinë. Jo se nuk të duan, por nuk din nuk dine. Kjo lë pasoja. Ti si fëmijë je rritur me çiltërisë e një fëmije dhe nuk duhet të hysh në raportet e nënës apo babait. Një nga problemet më të mëdha është se, kur ka një divorc, fëmijët nuk edukohen që ta duan nënën dhe babanë njësoj”, tha Zhuri.
/vizionplus.tv




