Bota

Marine Le Pen kërkon t’i heqë pushtetin Kaja Kallas!

Marine Le Pen kërkon të kufizojë ndjeshëm pushtetin e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke synuar çmontimin ose zvogëlimin drastik të shërbimit diplomatik të BE-së nëse fiton zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në Francë.

Sipas burimeve nga partia e saj, të cituara nga Politico, udhëheqësja franceze e së djathtës ekstreme synon t’u rikthejë shteteve anëtare më shumë kontroll mbi politikën e jashtme, duke kufizuar rolin e institucioneve të Brukselit.

“Realiteti është se dobia e Kallas është shumë e kufizuar dhe ajo dyfishon diplomacinë e shteteve anëtare. Askush nuk e njeh legjitimitetin e saj, veçanërisht as Shtetet e Bashkuara dhe as Kina, deklaroi Charles-Henri Gallois, këshilltar i presidentit të partisë, Jordan Bardella.

Qëndrimi i partisë së Le Pen vjen në një kohë kur forcat nacionaliste në Francë, Gjermani dhe Poloni po kërkojnë të kufizojnë kompetencat e institucioneve europiane, veçanërisht në politikën e jashtme. Në të njëjtën kohë, Kallas dhe Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) janë përfshirë në një përplasje të zgjatur për kompetencat në politikën e jashtme me Komisionin Europian, të drejtuar nga Ursula von der Leyen.

Brenda partisë së Le Pen, shërbimi diplomatik europian shihet si një shpenzim i panevojshëm i parave të taksapaguesve dhe si një pengesë për shtetet anëtare që duan të kenë një rol më të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Një nga çështjet që i ndan Kallas dhe Le Pen është lufta në Ukrainë. Ish-kryeministrja estoneze është ndër kritiket më të ashpra të presidentit rus Vladimir Putin dhe mbështet presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Nga ana tjetër, Le Pen kërkon organizimin e një konference ndërkombëtare paqeje për zgjidhjen e konfliktit dhe argumenton se Europa nuk ka më fonde për t’i dhënë Ukrainës. Megjithëse dy politikanet nuk janë përplasur drejtpërdrejt në publik, qëndrimet e tyre për politikën e jashtme janë të ndryshme.

Deri tani, Le Pen i ka drejtuar kritikat më të ashpra ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të cilën e djathta ekstreme e akuzon prej kohësh për tejkalim të kompetencave. Megjithatë, sipas Politico, një fitore e Le Pen në zgjedhjet presidenciale franceze mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe te Kallas dhe te funksionimi i shërbimit diplomatik europian.

Le Pen konsiderohet kandidatja kryesore përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Gjatë një vizite të fundit në Bruksel, ajo premtoi se do të zvogëlonte rolin e Bashkimit Evropian nëse merr pushtetin në Francë.