
Nga Aleksandër Beçiri
Një miku im i çmuar, ‘Një murg në burg që jeton si asket dhe mendon si mbret’ (pjesë nga poezia e tij) dikur më pat thënë: ‘Baba vdiq, pak vjet më parë më pat vdekë edhe nana; tani, tha ai, ndiehem jetim edhe zyrtarisht, pasi nuk kam ma as Atdhe e as Mëmëdhe.
Edhe pse kam vllezër e motra, nuk kam gjetur akoma ndonjë fjalë a përkufizim në shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër të botës si të thuash, Motërdheu apo Vlladheu.’
Kur ma pëshpëriti këtë fjali mu duk sikur i kishin filluar problemet e pazgjithshme me vetveten por sa më tepër kaloi koha, ajo shprehje mori për mua gjithnjë e më shumë përmasa profetike.
Konflikti mes vetes dhe vetes
Para ca javësh, për t’i mbushur mendjen atij dhe më shumë vetes se ai nuk kishte të drejtë, u nisa për në Shqipëri. Disa pyetje, herë retorike e herë jo, më ngacmojnë kokën sa herë pres biletën e nisjes. Nuk kam arritur ta shpjegoj asnjëherë, njëfarë tensioni, keqkuptimi apo moskuptimi të çuditshëm e të pakuptueshëm mes shqiptarve që banojnë në Shqipëri dhe atyre që banojnë jashtë atdheut, mes shqiptarve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, mes militantësh majtistë dhe djathtistë, në fakt një farë konflikti antagonist pasiv-agresiv që realisht është konflikt mes vetes dhe vetes.
Çfarë është shpia dhe çfarë është Atdheu/Mëmëdheu ?
Çfarë është shpia dhe çfarë është Atdheu/Mëmëdheu ?. A nënkuptohen me fjalën shtëpi ; muret, çatia, dritaret, oborri, apartamenti, vila etj… dhe a është Mëmëdheu një kujtim i turbullt, i mjegullt i ‘tokës ku më ka rënë koka’ (Andon Zako Çajupi)?
Pa dashur t’i bie ndesh askujt, për mua Shpia e Atdheu janë njerëzit, shpirtrat dhe energjia e tyre jo në trajtë orendish statike, tokash djerrë apo pronash të palujtshme por në formën, përmbajtjen, substancën e morfologjinë e tyre dinamike e dialektike.
Dita e nisjes trokiti në derë dhe menjëherë që në avion ‘rebelimi’ shqiptare brenda meje ngriti kokën. Pas ca lajmërimesh e paralajmërimesh të stewardessave, edhe pse aeroplani filloi levizjen drejt pistës së ngritjes u duk sikur pasagjerët nuk kishin ndërmend t’u binden urdhërave të atyre vajzave të reja, të cilat në fakt nuk po bënin asgjë më shumë apo më pak, sesa punën e tyre. Më në fund, pas shumë pikash djersë e përplasjesh verbale, arritëm lartësinë e fluturimit 10.000 metra.
Dy orë e tridhjetë minuta më vonë avioni u ul në aeroportin e Rinasit. Rreshqitja e gomave që sapo takuan pistën dhe ulja e shpejtësisë, u shoqëruan me duartrokitje e brohoritje për faktin se edhe kësaj rradhe bashkëudhëtarët e mi mbërritën gjallë në atdhe. Sidomos rebelët fjalëmedhenj ishin ato që kishin patur më shumë frikë sesa të tjerë pasi nga sediljet e tyre vinte entuziazmi disi më euforik. Çfarë trimash – thashë me vete.
Takimi surprizë me “hajdutët” dixhital
Mezi prita të shoh Tiranën pas tre vitesh. Sapo kisha degjuar dikë se Shqipëria është bërë kampion bote në fushën e dixhitalizimit dhe se tashmë kudo mund të paguhej edhe me kartë bankare ose kartë krediti. Disi i eksituar nga ky zhvillim, e për herë të parë përdora edhe unë telefonin për pagesa, si në aeroport ashtu dhe në vende të tjera brenda kryeqytetit. Një ditë më vonë kur i hodha një sy llogarisë time bankare vura re se ajo çka vertetë kisha paguar nuk ishin çmimet e servirura në kutitë elektronike por një shumë tjetër rreth 15% më tepër. Diçka e tillë nuk më kishte ndodhur në Malin e Zi pasi atje 100 euro pagesë ishte 100 euro dhe jo 115 si në Tiranë (ku 15 euro ‘fshiheshin’ si kosto transaksionesh bankare). Nejse, i irrituar vendosa ti drejtohem Diellës, ministres sonë të shtetit për inteligjencën artificiale, por arrita ta frenoj veten pasi në fund të fundit unë vij nga jashtë shtetit pas tre vitesh dhe sa turp që rri e murmëris për një përqindje shtesë kontribut ndaj atdheut. Njerëz si unë, në Shqipëri konsiderohen si ‘njerëz me lekë’ (tridhjetë vite punë jashtë shtetit të bëjnë peshk të majmë për t’u peshkuar). Vari teneqen, para nuk kam patur asnjëherë por asnjëherë nuk më kanë munguar qysh kur kam lindur. Ky paradoks shpjegohet me faktin se si mund të të mungojë diçka që nuk e ke patur?
A thua kanë rënë njerëzit të flenë gjumë kaq herët
U solla nëpër Tiranë dhe dhjetra e dhjetra vinça paralajmëronin ndërtim e zhvillim. Edhe pse kulla të gjata të përfunduara jepnin shije modernizimi e progresi (të paktën nëse marrim pasysh betonizimin dhe fasadat e qelqta), ata prapë se prapë ngriheshin si hunjë gardhi të vetmuar pa ndonjë estetikë arkitektonike e të paintegruara në ndonjë sistem urbanistik bashkërendues e harmonik, si me natyrën ashtu dhe me ndertimet e tjera përreth apo me infrastrukturën përkatëse. Pasi errësira e darkës ra, mu duk sikur kullat u zbehën dhe përveç ndonjë dritë tek-tuk të ndezur, apartamentet e tjera në to ishin shndërruar në fantoma. A thua kanë rënë njerëzit të flenë gjumë kaq herët, thashë me vete?
Ika unë i poshtri
Iu afrova qendrës dhe atmosfera e ndërroi stilin. Grupe të rinjsh po protestomin. Nuk i qendrova dot tundimit dhe edhe për arsye nostalgjike të lidhura me protestat e studentëve të viteve nëntëdhjetë iu bashkova masës. Isha një veteran protestash, tashmë i thinjur në mes atyre studentëve të rinj. Ndërhyrja e forcave të rendit ishte aq disproporcionale saqë për menaxhimin e një grupimi adolëshentësh (përveç meje) u deshën autobote uji me presion, gas lotsjellës e madje edhe fishekë gome. -Ika unë i poshtri -thashë, – se fiziku im nuk është më aji i rreth rreth tridhjetë e pesë a tridhjetë e gjashtë viteve më pare, sytë po më lotojnë e mushkëritë e mia nuk e përballojnë më asnjë lloj lende kimike. Ju urova sukses pa ju thenë se edhe unë femijë i një recvolucioni isha, i një revolucioni që kishte ngrenë femijët e vet, ashtu si shumica e revolucioneve në fakt – se realisht revolucionet ashtu funksionojnë. Por këtë e mbajta për vete.
Do të ngelemi pa një histori për ta rrëfyer
U ktheva në hotel dhe një mikesha ime gazetare në programin e saj ‘Rrefimi i Darkës’ u bente thirrje protestuesve (pra edhe mua sadopak) si nenë, si motër, si qytetare, të mos prishnin qytetin, trotuaret, të mos digjnin koshat e plehrave, të mos thyejnë xhamat e dyqaneve, të sillen si njerëz të mirë e të denjë. Kishte kaq emocion në fjalët dhe fjalitë e saj; nga sytë, toni e gjestet e saj , ajo rrezatonte ndershmëri e sinqeritet, ajo e kishte me gjithë mend e nuk po luante teatër. Ajo në fakt është një grua tejet e zgjuar dhe një gazetare me zemër në vendin e duhur, por në ato çaste mu duk tejet naïve.
Desha ta ftoj të ndérronim dy fjalë pasi dy njerëz të qytetëruar mund të debatojnë dhe të bien dakord se nuk janë dakord, por ngurrova pasi ajo është një mikeshë virtuale e ekranit dhe unë vetëm se i ndjek programet, intervistat a emisionet e saj rregullisht. E vërteta është se edhe unë isha i lodhur dhe nuk e kisha as kthjelltësinë, as energjinë dhe aq qetësinë e duhur për të ndërruar dy pare muhabet të vlefshme.
Desha ta pyes nëse studentët protestues ishin shkak apo simptomë e një sistemi, e një status-quo-je të sëmurë ku xherondokracia ka përqendruar gjithçka në duart e veta; pushtetin politik e finaciar në kurriz të brezit të ardhshëm. Desha t’i them se ne pra, xherokratët (rreth 60+vjeçarët), ‘kemi akumuluar pasuri e pushtet ose duke trashëguar, ose duke vjedhur, e ndoshta një pakicë nga ne edhe me punë e përpjekje të ndershme, mirëpo ne harrojmë totalisht se dikush do të na i marrë siç i kemi marrë ne; ose do ti trashëgoje, ose do të na vjedhë e përfundimisht do të ngelemi me gisht në gojë dhe pa një histori për ta rrëfyer.
Lum kush ka një histori për të thenë’!
Lum kush ka një histori për të thenë’!! (përshtatje nga një thenie e William Shakespeare). Cila është historia jonë atëherë? Edhe pse ky shtjellim i imi ndoshta përmban nota të thella naiviteti, atëherë le bëhemi dy naivë bashkë e të pëshpërisim. Në fund të fundit, në një botë ku gjithsekush ka pretendimin e të paturit në pronësi të inteligjencës, jo vetëm natyrore por edhe asaj artificiale, është të qenurit naiv ndoshta një privilegj vetëmbrojtës? Nejse, njëherë tjetër do ta marr kurajon për ta takuar mikeshën time gazetare, për të cilën kam vetëm respekt dhe admirim.
Koha kaloi më shpejt se sa kisha deshirë dhe m’u desh të shkoja në banjo por më ngatërroj sinjalistika e mëposhtme. Bera një foto (shih këtu më poshtë)

‘Mirë – mendova, – unë si burrë ndjek shigjetën dhe shkoj djathtas, po femrat nga duhet të shkojnë, majtas drejt e të përplasen në murin qorr? Bravo, nga ky aeroport ‘modern’ që kanë kaluar shumica dermuese e dymbëdhjetë miljon turistëve, nuk kemi mundur të rregullojmë njé sinjalistikë funksionale? Pika që s’na bie!
Me Prayer Room e pa asnjë dyqan librash
U largova dhe pas kontrollit të pasaportave ndesha një shenjë tjetër rrëfyese; Prayer Room, një shenjë që nuk e kisha ndeshur kurrë më pare në dhjetra e dhjetra fluturime nga Rinasi në tridhjetë vitet e fundit. Për herë të parë e kuptova pse Shqipëria në perendim shpesh perkufizohet si porta e Arabisë.
Kjo nuk ka asnjë konotacion negativ pasi Shqipëria përbëhet nga një shumicë myslimane, por tabela Prayer Room më solli sërish në fillimet e viteve nëntëdhjetë ku objektet e kultit si kisha, xhamia, sinagoga e të tjera, pas rënjes së komunizmit, mbijnë kudo si kërpudhat pas shiut. Për mua personalisht ka një dallim thelbësor mes fesë dhe besimit, por kjo është një temë tjetër. Edhe pse Shqipëria është shtet laik me tendenca perendimore, të paktën në parim, po të ishte nana ime gjallë e të lexonte këtë shkrim do të më ngushëllonte me fjalët: Mos u mërzit bir se e ban zoti mire!
Dhe në fund nuk mund të rri pa përmendur një dukuri të re të modernitetit të këtij aeroporti. Aty, brenda aeroportit “të ri e modern” nuk më zuri syri asnjë dyqan librash. (Ai aeroporti i vjetër, ai “i pa rilinduri”, para nja 15 vjetësh, kishte jo një, por dy dyqane librash. Tani me sa duket, edhe për libra nuk kemi më nevojë, pasi ato na i lexon Diella.
Sa është Shqipëria Shqipëri dhe sa është Atdheu Atdhe?
Kur po afronte ora e fluturimit më rierdhën në mendje fjalët e mikut tim. Mu duk vetja si shpirt i djerrë. …I pa Atdhe, i pa Mëmëdhe.
… dhe për dreq m’u kujtua ajo shprehja e famshme e shkrimtarit dhe satiristit të njohur amerikan, Mark Twain. – “Mërgimtari lind në një vend, jeton në një tjetër, dhe kur del në pension është i huaj në të dy vendet”.
Ja pata për thënë njëherë këtë shprehje të Mark Twain, mikut tim, që iu përmenda në fillim të këtij shkrimi, i cili jeton “si murg në burg”, dhe ai qetë-qetë më qe përgjigjur me një shprehje të Senekës:
“Vetëm koha është e jona – Gjithçka tjetër është e huaj”.
…Unë nuk kam dalë akoma në pension, kështuqë nuk kam punë me atë Amerikanin e poshtër Mark Twain, ndaj i thashë vetes – beso tek Seneka – Jeto kohën, pasi vetëm ajo është e jotja. Gjithçka tjetër është e huaj.
Gejti i linjës për në Amsterdam u hap. E unë si një jetim zyrtar, i pa Atdhe e i pa Mëmëdhe, bëra gati pasaportën time të huaj, për një udhëtim më pak se tre orësh nga një vend, që m’u duk i huaj drejt një vendi tjetër po të huaj.
Zot më mëshiro!
Aleksander Beçiri, është një inxhinier ndërtimi i përkushtuar ndaj ndërtimeve modulare e ricikluese, dhe ndaj mbrojtjes së mjedisit. Përveç angazhimeve inxhinierike ai është autor e përkthyes. Me njohuritë e shqipes, italishtes, holandishtes, anglishtes, greqishtes, frengjishtes e se fundmi spanjishtes ka qenë aktiv në projekte të ndryshme përkthimi multigjuhësor. Një arritje e spikatur e kësaj serie përkthimi, është ‘Aan de Rand van de Wereld: Michel Houellebecq’ (‘Në Zgrip të Botës: Michel Houellebecq’) nga holandishtja në shqip në vitin 2015. Vëllimi poetik ‘Faje Njeriu’ (me emrin parësor Sander Gjoni) ështëi publikuar nga Skanderbeg Books në vitin 2008.
Në 2021, shtëpia botuese irlandeze Galway Academic Press botoi dhe prezantoi librin e tij ‘Pasardhësit e Fermës’ (publikuar me titullin ‘The Bastard’). Disa tregime të stilit të shkurtër nga ky libër janë përqafuar e kanë gjetur vendin e tyre te revista letrare irlandeze The Galway Review. Kontributet e ndryshme shumëgjuhësore i kanë shërbyer ndërtimit të urave lidhëse kulturore dhe pasurimit të hapësirës letrare.
