Para Forumit të Paqes, Kurti takohet me personalitete franceze që mbështetën Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Paris me disa personalitete franceze dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në mbështetjen e Kosovës, një ditë para nisjes zyrtare të Forumit të Paqes.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se në takim morën pjesë ish-ministri francez i Mbrojtjes, Alain Richard, oficeri dhe ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Gilles Pernet, antropologia dhe studiuesja Véronique Nahoum-Grappe, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin, si dhe gazetarja dhe ish-korrespondentja e Le Monde, Florence Hartmann.
Kurti i cilësoi ata si miq të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar kontributin e tyre në forma të ndryshme për vendin.
Ai veçoi mbështetjen e Alain Richardit për ndërhyrjen e NATO-s më 1999, angazhimin e Véronique Nahoum-Grappe për dokumentimin e dhunës seksuale në luftëra dhe konflikte, si dhe kontributin e Florence Hartmannit në njohjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutua për përparimin demokratik të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet në siguri dhe mbrojtje, si dhe planet për mandatin e ri qeverisës.
Një nga temat e bisedës ishte edhe aktgjykimi i 16 shtatorit, të cilin Kurti e cilësoi si të padrejtë, si dhe angazhimi për korrigjimin e tij në procedurën e apelit.
Kryeministri bëri të ditur se është diskutuar edhe për rolin e Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.
“Për rolin e rëndësishëm të Francës në rrugën e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik”, shkroi Kurti, duke përshkruar një nga temat e takimit.





































