Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, pas deklaratave të këtij të fundit në Komisionin e Sigurisë lidhur me sendet dhe kushtet e konstatuara në qelitë e të burgosurve, mes tyre edhe persona të dënuar për krime të rënda.
Në një reagim publik, Bardhi i cilësoi deklaratat e drejtuesit të Policisë së Burgjeve si të papërgjegjshme dhe antishtetërore, duke e akuzuar se po përpiqet të justifikojë kushtet luksoze të krijuara në qelitë e burgjeve shqiptare.
Sipas Bardhit, në vend që të japë llogari se si u lejua që ambientet e burgjeve të pajiseshin me luks për eksponentë të krimit të organizuar, drejtori është mjaftuar me argumentin se personalizimi i ambienteve lejohet edhe në vende të tjera dhe se sendet e konstatuara nuk ishin të ndaluara, por thjesht të tepërta.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi se legjislacioni shqiptar dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë qartë se cilat sende lejohen të mbahen në qeli dhe në çfarë kushtesh.
Ai e konsideroi këtë justifikim si një përpjekje për të relativizuar shkeljet dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale.
“Legjislacioni shqiptar dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë qartë dhe në mënyrë shteruese sendet që lejohen të mbahen në qelitë e burgjeve, si dhe kushtet në të cilat ato duhet të administrohen. Asnjë dispozitë ligjore nuk mund të interpretohet si leje për luks të pakufizuar, për instalime të pajustifikuara apo për investime private që cenojnë regjimin dhe sigurinë e institucioneve penitenciare”, deklaroi Bardhi.
Ai kërkoi që Ministria e Drejtësisë të marrë masa konkrete ndaj drejtuesit të Policisë së Burgjeve, duke e konsideruar shkarkimin e tij si një hap të domosdoshëm për përgjegjësinë institucionale.
“Në një shtet që funksionon mbi përgjegjshmërinë dhe sundimin e ligjit, pas një deklarate të tillë, Drejtori i Policisë së Burgjeve nuk do të duhej të rikthehej në zyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një ministër i përgjegjshëm i Drejtësisë do të kërkonte menjëherë llogari dhe do të merrte masa konkrete, deri në shkarkimin e tij”, u shpreh ai.
Në përfundim, Bardhi theksoi se institucionet penitenciare duhet të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, dhe jo të krijojnë kushte privilegjuese për të dënuarit.
“Burgjet nuk janë hotele luksi. Qelitë nuk janë prona private. Dhe krimi i organizuar nuk mund të ketë privilegje që qytetarët e zakonshëm as nuk mund t’i imagjinojnë. Detyra e strukturave të sigurisë në burgje është të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, jo të sigurojnë rehatinë e krimit të organizuar!”, përfundoi Bardhi.
