Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron.

Forumi këtë vit do të përqendrohet te rëndësia e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kohë kur bota po përballet me ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, zhvillime teknologjike dhe sfida klimatike.

Në kuadër të këtij aktiviteti ndërkombëtar, Rama do të jetë pjesë e një sesioni të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.

Kryeministri shqiptar do të marrë pjesë gjithashtu në seancën plenare të Forumit të Paqes në Paris, me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi).

Në këtë sesion pritet të trajtohen dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sfidat që lidhen me marrëdhëniet mes shteteve në kontekstin e zhvillimeve globale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb