Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize, në Paris. Kreu i qeverisë shqiptare u prit nga presidenti francez, jashtë dyerve të godinës presidenciale, ku nuk mungoi një përqafim dhe shtrëngim duarsh mes dy liderëve, të cilët më pas vijuan takimin dypalësh. Kryeministri Rama ndodhet në Francë me ftesë të presidentin Macron, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ndërsa në agjendën e vizitës është edhe takimi dypalësh mes tyre. Kryeqyteti francez mirëpret më 10 dhe 11 nëntor edicionin e nëntë të Forumit të Paqes, ku këtë vit ka në vëmendje rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kontekst të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.